Tryeza në Mitrovicë

Tryeza e rrumbullakët në Mitrovicë

“Ndryshimi kulturor që po e sjellë zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit në shoqërinë tonë”
(“The cultural change in our society the enforcement of Tobacco Control Law is bringing”)

E mërkurë, 09 tetor 2013

Takimi i organizuar sot nga KADC në bashkëpunim me CMB dhe Ministrinë e Shëndetësisë për qëllim kishte ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për respektimin e Ligjit për kontrollin e duhanit dhe nxitjen e organeve përgjegjëse në kryerjen e detyrave ligjore për mbikëqyrjen efektive të zbatimit të këtij ligji.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga ministria e shëndetësisë, OBSH, KADC, CMB, Policia e Kosovës, inspektorati sanitar qendror, inspektorati sanitar komunal nga Mitrovica dhe Vushtria, inspektorati komunal i tregut, shoqëria civile dhe qytetarë nga komuna e Mitrovicës.

Nga diskutimet në këtë takim u konstatua se zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit në komunën e Mitrovicës është në nivel të ulët dhe u shtrua qartë nevoja e mobilizimit të organeve zbatuese të ligjit dhe ngritjes së bashkëpunimit me shoqërinë civile që është aktive në rajonin e Mitrovicës.

Si një nga vështirësitë e përmendura nga inspektorati sanitar i kësaj komune është edhe mos procedimi i gjobave nga ana e gjykatave krahas përgjigjes negative të qytetarëve sa i përket respektimit të ndalesës së pirjes së duhanit; edhe pse sipas vetë zyrtarit të këtij inspektorati nuk kanë dërguar asnjë fletëparaqitje në gjykatë.

Policia e Kosovës shprehu gatishmërinë të asistojë në vizitat monitoruese të inspektoratit sanitar në rajonin e Mitrovicës sipas praktikës së aplikuar në Prishtinë, ku ekipe të përbashkëta të inspektoratit dhe policisë së Kosovës kanë monitoruar zbatimin e ligjit. Gjithashtu, ajo kërkoi angazhimin e Ministrive përkatëse në funksionalizimin e gjobave mandatore.

Rekomandimet e nxjerra nga takimi

  • Të formohet grupi koordinues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit në rajonin e Mitrovicës i përbërë nga: inspektorati komunal sanitar dhe i tregut, policia e Kosovës – rajoni i Mitrovicës, CMB dhe përfaqësues tjerë aktiv nga shoqëria civile, përfaqësues nga mediet lokale.
  • Të rritet niveli i bashkëpunimit ndërmjet inspektoratit sanitar qendror dhe komunal për koordinim dhe raportim për zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit.
  • Të organizohen vizita inspektuese të përbashkëta të inspektoratit komunal sanitar dhe policisë së Kosovës- rajoni i Mitrovicës me prioritet në mjediset ku shkeljet e ligjit janë më të shpeshta.
  • Të organizohen vizita inspektuese rotative duke përfshirë inspektoratet nga niveli qendror dhe komunat tjera.
  • Të kërkohet nga Këshilli Ndërministror për Ligjin për Kontrollin e Duhanit që të ndikojë në shpejtimin e shqyrtimit dhe procedimit të gjobave nga ana e gjykatave.
  • Të shtohen aktivitetet promovuese në mediet lokale dhe kombëtare me qëllim të ngritjes së vetëdijes për respektimin e ligjit për k. e duhanit.
  • Të organizohet një takim i përbashkët i drejtorëve të drejtorive të inspektorateve komunale nga të gjitha komunat e Kosovës.
  • Të propozohet në këshillin ndërministror ngritja e kapaciteteve inspektuese nëpërmjet mekanizmit të kontratës mbi vepër.

Author:

Share This Post On