KADC prezantoi gjetjet e hulumtimit mbi nivelin e pirjes së duhanit në Kosovë

Monitorimi i Respektimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në Kosovë

12 nëntor 2014, Prishtinë

 

Në konferencën për media të organizuar sot, KADC prezantoi gjetjet e hulumtimit mbi nivelin e respektimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në Kosovë. (shkarkoni raportin e plotë)

IMG_8348

 

Gjatë muajit tetor 2014, prej 13 deri me 23 tetor, KADC ka monitoruar nivelin e respektimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit përkatësisht pirjen e duhanit në vende publike dhe vende të punës në shtatë qytetet më të mëdha të Kosovës: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan. Në këtë proces janë angazhuar 20 monitorues të cilët kanë kryer gjithsej 648 observime. Prej tyre 154 observime janë bërë në institucionet publike dhe 494 observime në sektorin e gastronomisë dhe objekte private.

Objekt i monitorimit kanë qenë institucionet shëndetësore, institucionet arsimore – shkollat e mesme, kolegjet, universitetet – objektet komunale, gjykatat, sektori i mikpritjes – restorantet, kafenetë, baret/klubet e natës, hotelet – qendrat tregtare, qendrat e fitnesit dhe objektet private. Restorantet dhe kafenetë janë monitoruar në kohë të ndryshme prej 8:00-16:00, 16:00-20:00 dhe pas orës 20:00; ndërkaq baret/klubet e natës janë monitoruar pas orës 22:00.

Klikoni ketu per te shkarkuar raportin

Klikoni per te shkarkuar raportin

Sipas gjetjeve të monitorimit, niveli i shkeljes së Ligjit për Kontrollin e Duhanit gjegjësisht niveli i pirjes së duhanit në vende publike ku është e ndaluar me ligj në Kosovë pasqyrohet si në vijim: institucionet shëndetësore 7.7%, universitete/kolegje 8.8%, shkolla të mesme 16.2%, gjykata 20%, objektet komunale 22.2%, qendra tregtare 3.6%, hotele 14.3%, restorante 29.3%, kafene 60.4%, klube nate 82.6%, objekte private 27.9% dhe qendra fitnesi 50%.

Rezultatet e monitorimit tregojnë se shkeljet e ligjit gjegjësisht ndalimit të pirjes së duhanit në sektorin e gastronomisë deri në ora 16:00 janë 21.7%. Ato shpeshtohen nga ora 16:00 deri në ora 20:00 në 38.2%, dhe shënojnë pikun pas orës 20:00 duke arritur në 59.7%. Ndër arsyet kryesore të rritjes së shkeljeve të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në sektorin e gastronomisë në orët e vona të pasdites dhe orët e mbrëmjes është bindja e krijuar tek personat përgjegjës për hapësirën se vizitat inspektuese nga ana e inspektorëve pas orarit zyrtar të punës nuk ndodhin fare apo janë shumë të rralla.

Me qëllim të përmirësimit të respektimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe bazuar në gjetjet e dala nga monitorimi është e nevojshme që të intensifikohen vizitat inspektuese në sektorin e gastronomisë, sidomos në klube nate, restorante dhe kafene por edhe në institucionet publike ku janë vërejtur shkeljet e ligjit, si në universitete, kolegje, shkolla të mesme dhe objekte komunale.

Gjithashtu është e nevojshme që në sektorin e gastronomisë të shpeshtohen vizitat inspektuese në orët mbrëmjes kur edhe është vërejtur se ndodhë numri më i madh i shkeljeve.

Gjatë monitorimit është vërejtur se vendosja e shenjave zyrtare për ndalimin e pirjes së duhanit – të cilat mungojnë në shumë institucione dhe vende tjera publike – është e domosdoshme për të siguruar një zbatim efikas të Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Këtë lajm mund ta gjeni edhe në  portalet e mëposhtme:

Imazh RTK;      KOHA.net;     KosovaPress;     Radio Europa e Lire;

Telegrafi;     KosovaLive360;    Kosova.info;

PrishtinaMagazine;     Indeksonline;     &     Zeri.

Author:

Share This Post On