Tryeza e rrumbullakët në Gjakovë
“Ndryshimi kulturor që po e sjellë zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit në shoqërinë tonë” – Komuna e Gjakovës –
E Premte, 18 tetor 2013
Takimi i organizuar sot nga KADC në bashkëpunim me Iniciativën e Femrës Kosovare (IFK) dhe Ministrinë e Shëndetësisë për qëllim kishte ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për respektimin e Ligjit për kontrollin e duhanit dhe nxitjen e organeve përgjegjëse në kryerjen e detyrave ligjore për mbikëqyrjen efektive të zbatimit të këtij ligji.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, OBSH, KADC, IFK, Policia e Kosovës- rajoni i Pejës, inspektorati sanitar qendror, inspektorati sanitar komunal, inspektorati komunal i tregut, ISHPK- komuna e Gjakovës, shoqëria civile, mediet lokale dhe qytetarë nga komuna e Gjakovës.
Nga diskutimet në këtë takim u konstatua se zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit në komunën e Gjakovës është në nivel të kënaqshëm, ka shkelje sporadike që janë më të shpeshta në zonat periferike të komunës duke mos përjashtuar edhe institucionet arsimore.
Sipas inspektoratit sanitar komunal, ligji respektohet në një nivel mbi- mesatar duke përmendur këtu si një shembull të mirë respektimin e ndalesës së pirjes së duhanit nëpër dasma. Sipas këtij inspektorati janë kryer mbi 200 inspektime që nga hyrja e në fuqi e ligjit për kontrollin e duhanit të cilat kanë pasur karakter vetëdijësues dhe deri më tani nuk është shqiptuar asnjë gjobë.
Përfaqësues të qytetarëve dhe shoqërisë civile deklaruan se ligji po respektohet në hapësirat gastronomike që janë më të frekuentuara në qytet, por deklaruan se shkeljet janë mjaft të shpeshta në shumë nga lokalet që ofrojnë shërbime gastronomike në qytetin e Gjakovës.
Shkelje të ligjit u tha të ketë pasur edhe në institucionet arsimore dhe u shtrua nevoja e bashkëpunimit dhe angazhimit më të madh të organeve zbatuese të ligjit dhe shoqërisë civile në Gjakovë. Gjithashtu u kërkua angazhim më i madh nga inspektorati i arsimit për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit në institucionet arsimore.
Policia e Kosovës e përfaqësuar nga drejtoria rajonale shprehu gatishmërinë të asistojë në vizitat monitoruese të inspektoratit sanitar në rajonin e Gjakovës sipas praktikës së aplikuar në Prishtinë, ku ekipe të përbashkëta të inspektoratit dhe policisë së Kosovës do të monitorojnë zbatimin e ligjit.
Policia e Kosovës u shpreh e gatshme të ofroj përkrahje me ekipe reaguese të policisë dhe të delegojë përfaqësuesit e saj në Gjakovë dhe të gjitha komunat tjera që bëjnë pjesë në rajonin e Pejës.
Rekomandimet e nxjerra nga takimi
- Të formohet grupi koordinues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit në komunën e Gjakovës i përbërë nga: inspektorati komunal sanitar (Marjan Marku, Pëllumb Resyli), inspektorati i tregut (një përfaqësues), Policia e Kosovës- komuna e Gjakovës (Kristë Gjoka, komandant i policisë në Gjakovë), IFK (Eranda Kumnova), OJQ “Vita” (Vjollca Kuqi), inspektorati i arsimit (një përfaqësues), IKSHPK- dega në Gjakovë (Nexhat Dula) dhe përfaqësues nga mediet lokale.
- Të identifikohen të ashtuquajturat “pika të nxehta”- vendet ku ka shkelje më të shpeshta të ligjit dhe të njëjtat të jenë subjekt i vizitave sistematike dhe i ndëshkimeve të parapara me ligj në rast se gjenden shkelje.
- Të organizohen vizita inspektuese të përbashkëta të inspektoratit komunal sanitar dhe policisë së Kosovës- komuna e Gjakovës me prioritet në mjediset ku shkeljet e ligjit janë më të shpeshta.
- Së paku një herë në muaj të kryhen inspektime të përbashkëta me inspektoratin sanitar qendror dhe përkrahjen e Policisë së Kosovës. Gjatë realizimit të inspektimeve t’u jepet prioritet vendeve të identifikuara si shkelës të ligjit.
- Të rritet niveli i bashkëpunimit ndërmjet inspektoratit sanitar qendror dhe komunal për koordinim dhe raportim për zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit.
- Të mbahen takime të rregullta- së paku një herë në muaj të grupit koordinues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit në komunën e Gjakovës.
- Të gjitha palët e përfshira në grup të raportojnë së paku një herë në muaj pranë grupit koordinues për punën e tyre dhe hapat që do të ndërmarrin për përmirësimin e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit.
- Të rritet angazhimi i inspektoratit komunal të arsimit për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit në institucionet e arsimit.
- Të ndërmerren aktivitetet vetëdijësuese- edukative që kanë për qëllim parandalimin e pirjes së duhanit tek nxënësit. Aktivitetet të jenë të rregullta në kuadër të plan-programeve arsimore të shkollave të cilat duhet të realizohen me përfshirjen e drejtorisë komunale të arsimit, si dhe me angazhimin e shoqërisë civile e IKSHPK-së në komunën e Gjakovës.
- Të shtohen aktivitetet vetëdijësuese në mediet lokale dhe kombëtare me qëllim të ngritjes së vetëdijes për respektimin e ligjit për k. e duhanit.
- Të organizohet një takim i përbashkët me pronarët e kafe-bareve, restoranteve dhe subjekteve tjera afariste që ofrojnë shërbime mikpritëse, të cilët do të njoftohen për dispozitat ligjore të ligjit për kontrollin e duhanit dhe përgjegjësinë që ata mbajnë për zbatimin e këtij ligji (fletushkat informuese mund t’i siguroj KADC).