Në maj të vitit 2013, Kosova miratoi ligjin e ri për kontrollin e duhanit me synim të mbrojtjes së shëndetit publik, të gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore të konsumimit të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit me të cilin ndalohet 100% pirja e duhanit në hapësirat e mbyllura.
Edhe pse misioni i gjykatave në Kosovë është që të sigurojë sundimin efektiv të ligjit, monitorimi i tyre ka treguar se tymosja e duhanit në ndërtesat e gjykatave nuk është kudo e ndaluar plotësisht. Vetë gjyqtarët dhe personeli i gjykatave tymosin duhan në zyrat e tyre, duke demonstruar në mënyrë të qartë mungesën e sundimit të ligjit në hapësirat e gjykatës.
Në periudhën tremujore 01 gusht deri më 30 tetor 2013 është realizuar monitorimi sistematik i zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit në shtatë gjykatat themelore të Kosovës. Monitorimi ka treguar që respektimi i Ligjit në gjykata është i pjesërishëm. Përkundër faktit që shenjat për ndalimin e pirjes së duhanit janë vendosura në të gjitha gjykatat, nga vizitat është konstatuar se në 9 (nëntë) raste që ligji është shkelur herë nga personeli administrativ dhe nga vet gjyqtarët.
Edhe pse pjesa më e madhe e personelit të gjykatave është jo duhan pirëse, hulumtimi ka treguar që nuk janë të informuar për mundësinë e lajmërimit në numrin falas publik kur u shkelet e drejta e tyre për një ambient të punës pa tym duhani. Atyre u pengon pirja e duhanit nga të tjerët dhe kolegët e tyre në vendin e punës. Të ekspozuar ndaj tymit të duhanit, respektivisht pirjes pasive të duhanit, personeli përjeton reaksion fiziologjik – djegje të syve, nevojë për ajër të pastër dhe produktivitet të zvogëluar në punë. Shumica e personelit të gjykatave është mësuar te mos reagoj fare kur në ambientin e punës janë të pranishëm kolegë që tymosin duhan dhe kolegë që nuk tymosin duhan.
Në zinxhirin e gjatë që fillon nga përpilimi i Ligjit për kontrollin e duhanit, miratimit të Ligjit në parlamentin e Kosovës dhe dekretimit nga Presidentja, ngritjes së vetëdijes së qytetarëve, zbatimit të ligjit nga autoritetet inspektuese dhe sanksionimet në rast të shkeljes, hallka më e dobët ka mbetur procedimi efikas i lëndëve të ngritura dhe sanksionimi i pa diskutueshëm dhe me kohë i subjekteve apo personave fizik në rast të mos respektimit së Ligjit.
Për ta forcuar zbatimin e ligjit nevojitet mbështetje aktive e autoriteteve inspektuese në ngritjen e kapaciteteve përmes trajnimit për përpilim të duhur të lëndëve, vazhdim të monitorimit dhe përcjelljes së lëndëve në gjykata për procedim më efikas të tyre, publikim të vendimeve dhe numrit të vendimeve të gjykatës ndaj subjekteve të ndëshkuara afariste.
Me qëllim të parandalimit të përhapjes së dukurisë së shkeljes së ligjit për kontroll të duhanit dhe përcjelljes së mesazhit të qartë se ato subjekte që shkelin Ligjin domosdoshmërish sanksionohen dhe sanksionohen pa vonesë, të gjitha gjykatat nevojitet të trajtojnë me prioritet lëndët që kanë të bëjnë me mos respektim të ligjit e posaçërisht në sezonin e dimrit kur tendenca dhe frekuenca e shkeljeve në hapësirat e mbyllura është shumë më e lartë.