KADC Për të ardhmen e vendit
Menyja
Nënshkruaj Peticionin Kthehu në fillim

KADC prezantoi gjetjet e hulumtimit mbi nivelin e pirjes së duhanit në Kosovë

Monitorimi i Respektimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në Kosovë

12 nëntor 2014, Prishtinë

 

Në konferencën për media të organizuar sot, KADC prezantoi gjetjet e hulumtimit mbi nivelin e respektimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në Kosovë. (shkarkoni raportin e plotë)

IMG_8348

 

Gjatë muajit tetor 2014, prej 13 deri me 23 tetor, KADC ka monitoruar nivelin e respektimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit përkatësisht pirjen e duhanit në vende publike dhe vende të punës në shtatë qytetet më të mëdha të Kosovës: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan. Në këtë proces janë angazhuar 20 monitorues të cilët kanë kryer gjithsej 648 observime. Prej tyre 154 observime janë bërë në institucionet publike dhe 494 observime në sektorin e gastronomisë dhe objekte private.

Objekt i monitorimit kanë qenë institucionet shëndetësore, institucionet arsimore – shkollat e mesme, kolegjet, universitetet – objektet komunale, gjykatat, sektori i mikpritjes – restorantet, kafenetë, baret/klubet e natës, hotelet – qendrat tregtare, qendrat e fitnesit dhe objektet private. Restorantet dhe kafenetë janë monitoruar në kohë të ndryshme prej 8:00-16:00, 16:00-20:00 dhe pas orës 20:00; ndërkaq baret/klubet e natës janë monitoruar pas orës 22:00.

Klikoni ketu per te shkarkuar raportin
Klikoni per te shkarkuar raportin

Sipas gjetjeve të monitorimit, niveli i shkeljes së Ligjit për Kontrollin e Duhanit gjegjësisht niveli i pirjes së duhanit në vende publike ku është e ndaluar me ligj në Kosovë pasqyrohet si në vijim: institucionet shëndetësore 7.7%, universitete/kolegje 8.8%, shkolla të mesme 16.2%, gjykata 20%, objektet komunale 22.2%, qendra tregtare 3.6%, hotele 14.3%, restorante 29.3%, kafene 60.4%, klube nate 82.6%, objekte private 27.9% dhe qendra fitnesi 50%.

Rezultatet e monitorimit tregojnë se shkeljet e ligjit gjegjësisht ndalimit të pirjes së duhanit në sektorin e gastronomisë deri në ora 16:00 janë 21.7%. Ato shpeshtohen nga ora 16:00 deri në ora 20:00 në 38.2%, dhe shënojnë pikun pas orës 20:00 duke arritur në 59.7%. Ndër arsyet kryesore të rritjes së shkeljeve të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në sektorin e gastronomisë në orët e vona të pasdites dhe orët e mbrëmjes është bindja e krijuar tek personat përgjegjës për hapësirën se vizitat inspektuese nga ana e inspektorëve pas orarit zyrtar të punës nuk ndodhin fare apo janë shumë të rralla.

Me qëllim të përmirësimit të respektimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe bazuar në gjetjet e dala nga monitorimi është e nevojshme që të intensifikohen vizitat inspektuese në sektorin e gastronomisë, sidomos në klube nate, restorante dhe kafene por edhe në institucionet publike ku janë vërejtur shkeljet e ligjit, si në universitete, kolegje, shkolla të mesme dhe objekte komunale.

Gjithashtu është e nevojshme që në sektorin e gastronomisë të shpeshtohen vizitat inspektuese në orët mbrëmjes kur edhe është vërejtur se ndodhë numri më i madh i shkeljeve.

Gjatë monitorimit është vërejtur se vendosja e shenjave zyrtare për ndalimin e pirjes së duhanit – të cilat mungojnë në shumë institucione dhe vende tjera publike – është e domosdoshme për të siguruar një zbatim efikas të Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Këtë lajm mund ta gjeni edhe në  portalet e mëposhtme:

Imazh RTK;      KOHA.net;     KosovaPress;     Radio Europa e Lire;

Telegrafi;     KosovaLive360;    Kosova.info;

PrishtinaMagazine;     Indeksonline;     &     Zeri.

Monitorimi i Zbatimit të “Ligjit për Kontrollin e Duhanit”

Monitorimi i Zbatimit të “Ligjit për Kontrollin e Duhanit”

8 Tetor, 2014, Prishtinë

KADC në mbështetje të Campaign for TOBACCO- FREE Kids me 8 Tetor 2014 në hotelin Sirius, organizoi një punëtori për monitorimin e zbatimit të “Ligjit për Kontrollin e Duhanit” në Kosovë.

Në trajnim, pjesëmarrësit u informuan nga KADC mbi “Ligjin për kontrollin e duhanit”, mbi organizatat të cilat ndihmuan duke dhanë kontributin e tyre për dekretimin e tij, fushatën publike “Merr frymë shlirë” , si dhe një përmbledhje të shkurtër të aktiviteteve avokuese në drejtim të arritjes së qëllimit për të krijuar një shoqëri që kujdeset për shëndetin e qytetarëve të saj.

Në pjesën e dytë pjesëmarrësit u udhëzuan për mënyrën e realizimit të monitorimit, të respektimit të dispozitave ligjore që rregullojnë ndalimin e pirjes së duhanit në vende publike, si dhe plotësimin e formularëve për mbledhjen e të dhënave duke përfshirë këtu edhe diskutimet mbi përgjegjësitë e tyre si monitorues gjatë këtij aksioni.

Trajnimi ishte interaktiv, në të cilin pjesëmarrësit u familjarizuan me njëri tjetrin, prandaj edhe ndiheshin shumë të lirë për të parashtruar pyetje dhe për të marrë pjesë në diskutime të hapura. Ata u vetëdijesuan për përgjegjësitë e tyre ndaj shoqërisë, detyrat e tyre si qytetarë që të ndihmojnë në zbatimin e ligjit për kontroll te duhanit, si dhe krijuan një rrjet të ri shoqërorë i cili do të mund të ju ndihmojë në të ardhmen.

Ekipa e Monitorimit te Zbatimit te Ligjit per Kontrollin e Duhanit

 

 

Monitorimi

Specialist/e për informim

Thirrje për Aplikim – KADC ka nisur zbatimin e projektit për fuqizimin e zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në Kosovë që synon promovimin e zbatimit efektiv dhe sigurimin e ndalimit 100% të pirjes së duhanit në hapësirat e mbyllura publike dhe vendet e punës.

Thirrje për Aplikim

Për pranimin e një specialisti/e për informim dhe marrëdhënie me media che publik (gjysmë orar/450$)

Përgjegjësitë

  • Krijon dhe kultivon marrëdhënie profesionale me gazetarë dhe redaktorët kryesor për të siguruar mbulim efektiv të zbatimit të projektit dhe aktiviteteve të KADC-së
  • Arrin audiencën përmes zhvillimit dhe hartimit të mjeteve efektive të komunikimit përfshirë mesazhet kryesore, lajmet, mediat sociale, buletinit elektronik dhe uebfaqes, storie të përgatitura, etj.
  • Përpilon dhe shpërndan komunikata për shtyp
  • Përcjellë, monitoron dhe raporton aktivitetet e KADC-së dhe ngjarjet relevante të mediave në Kosovë
  • Poston aktivitetet e KADC-së në uebfaqen www.kadc-ks.org , mediat sociale, etj.
  • Koordinon dhe mbanë lidhje efektive me mediat si dhe përpilon dhe mbanë listën e kontakteve me media
  • Sigurohet ti menaxhoj dhe t’u përgjigjet shpejt e në mënyrë efektive kërkesave dhe thirrjeve të mediave
  • Kryen edhe detyra të tjera sipas nevojës

Kualifikimet e preferuara

  • Aftësi të dëshmuara në shkrim dhe komunikim verbal në gjuhën angleze dhe shqipe
  • Përvojë në hartimin e planeve të komunikimit, strategjive dhe taktikave, përfshirë marrëdhëniet me mediat dhe publikun
  • Përvojë e dëshmuar në gjenerimin e mbulimit mediatik, këmbëngulës/e në afrimin dhe qasjen ndaj mediave dhe gazetarëve
  • Aftësi të mira ndër-personale dhe aftësi për të ndërtuar marrëdhënie të forta me gazetarët kryesorë, palët e interesit, etj.
  • Qasje pozitive, i/e vetë-motivuar me aftësinë për të punuar edhe në mënyrë të pavarur
  • Aftësi të forta organizative, menaxhim të kohës, menaxhim të projekteve, zgjidhje të problemeve si dhe aftësi analitike
  • Fleksibilitetet, shkathtësi dhe gatishmëri për të prodhuar rezultate cilësore nën presion të kohës

Dokumentet e nevojshme

  • Letër motivuese
  • Curriculum Vitae (CV)

Një numër i kufizuar kandidatëve të përzgjedhur do të ftohen në intervistë. Procesi i vlerësimit së aftësive të kandidatëve do të përfshijë edhe shkrimin e një eseje të shkurtër në gj. shqipe dhe gj. angleze. Kërkesë e domosdoshme është që kandidatët të jenë jo-duhanpirës.

Kandidatët e interesuar duhet të dërgojnë dokumentet në formë elektronike në këtë e-mail adresë: info@kadc-ks.org

Afati i fundit për aplikim është 13 shtator 2014.