KADC Për të ardhmen e vendit
Menyja
Nënshkruaj Peticionin Kthehu në fillim

Shënohet Dita Botërore pa Duhan

Ligji antiduhan në Kosovë solli ndryshime pozitive në shëndetin publik

“Krijimi i hapësirave publike të liruara një qind për qind nga duhan-pirja, hapësira të punës pa duhan, mjete të transportit publik pa tym duhani…”, kanë sjellë ndryshime pozitive në sjelljen e qytetarëve përballë shëndetit të njëri- tjetrit, duke rezultuar më ndryshime pozitive dhe në aspektin shëndetësor, social, ekonomik dhe mjedisor”, tha Ministri AganiPrishtinë, 31 maj 2014

10301454_839124202781748_9221235305986803372_nMe moton: “Ngritni taksat e duhanit-Zvogëloni vdekjet dhe sëmundjet!”, sikurse në shumë vende të botës, edhe në Kosovë u shënua Dita Botërore pa Duhan.

Përfaqësues të Koalicionit Anti-duhan të Kosovës: Ministria e Shëndetësisë, Zyra e OBSH-së në Kosovë, KADC, Inspektoratet përgjegjëse dhe partnerët, shënuan sot këtë ngjarje, përmes një konference për media dhe Ecjes “Merr frymë shlirë”, organizuar në Prishtinë

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha sot se një vit pa hyrjes në fuqi të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, ky ligj paraqet zhvillimin më të mirë në fushën e shëndetësisë publike në Kosovë, krahas Programit të Zgjeruar të Imunizimit.
“Krijimi i hapësirave publike të liruara një qind për qind nga duhan-pirja, hapësira të punës pa duhan, mjete të transportit publik pa tym duhani…”, kanë sjellë ndryshime pozitive në sjelljen e qytetarëve përballë shëndetit të njëri- tjetrit, duke rezultuar më ndryshime pozitive dhe në aspektin shëndetësor, social, ekonomik dhe mjedisor”, tha Ministri Agani.
Përkundër sfidave të mëdha që i ka pasur ky ligj dhe përkundër faktet se ka ende mjedise e komuna ku ligji zbatohet me vështirësi, ndryshimet do të ndodhin dhe është fakt i pamohueshëm që ligji k sjellë edhe një ndryshim kulturor në mjedisin kosovar, theksoi Ministri Agani.
Ai tha se institucionet shtetërore ë bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe qytetarët duhet të bashkëpunojnë edhe me ngusht mes vete që gradualisht shifrat rreth duhan-pirjes të tregojnë për ulje të duhan-pirjes, sikur tregon edhe hulumtimi i fundit i OBSh-së në Kosovë.

1503300_839127536114748_2345067498586456002_nDr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se zbatimi i Ligjit për Kontrollin e Duhanit ka dhënë sinjalet e para pozitive dhe kjo mund të dëshmohet edhe në bazë të dhënave të një hulumtimi të kryer nga kjo organizatë.
“Derisa në hulumtimin gjithëpërfshirës për duhan-pirjen në 2004, në Kosovë të rinjtë kosovarë kanë të ekspozuar në duhan-pirje pasive në 84 .2%, hulumtimi që do të prezantohet më 12 qershor i OBSH-së tregon se më 2014, ka rënë për rreth 50 për qind, që do të thotë se tani të rinjtë duhan-pirjes pasive i ekspozohen në 33 për qind”, tha doktor Syla.

Ilirjana Zymberaj, drejtoreshë e Inspektoratit Sanitar, tha se në vitin e parë të zbatimit të ligjit, ky inspektorat ka kryer mbi 3000 inspektime, ka dërguar në gjykatë mbi 80 fletëparaqitje, ka shqiptuar 8 dënime mandatare derisa ka shqyrtuar edhe 495 ankesa të ndryshme rreth dënimeve që kanë të bëjnë me ketë ligj. Ajo tha se fuqizimit të zbatimit të ligjit duhet t’i kontribuojnë shumë më tepër edhe gjykatat me marrjen me lëndët e këtij inspektorati.

Shkumbin Spahija, drejtor ekzekutiv i KADC-Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim, tha se falë këtij ligji, sot në Kosovë ka shuam hapësira dhe vende publike ku mund të merret frymë shlirë. Ai tha se zbatimi i ligjit ka një kosto shumëfish më efektive në krahasim me ndërhyrjet e tjera shëndetësore. Ai tha se zbatimi i këtij ligji kërkon edhe një vullnet politik esencial dhe në këtë aspekt, ky vullnet nuk ka munguar në MSh, por të njëjtin duhet ta ketë edhe Parlamenti dhe Qeveria e ardhshme e Kosovës.

Selatin Kaçaniku, kryetar i organizatës “konsumatori”, tha se konsumuesit e duhanit duhet të respektojnë shëndetin e qytetarëve të tjera që nuk e konsumojnë këtë produkt, ndërsa e ka quajtur krejt të panevojshme përpjekjen e dështuar të kompanive të duhanit për të ndryshuar muajin e kaluar Ligjin me arsyetime të paqëndrueshme se kinse i njëjti dëmton ekonomikë. “Përkundrazi, dëmet janë shumë më të mëdha nga duhani për shëndetin dhe ekonominë e vendit dhe këtë e paguan shëndetësia, duke ditur që sëmundjet e shkaktuara nga duhani po shënojnë rritje”, ka thënë ai.

Pas konferencës, përfaqësuesit e Koalicionit Anti-duhan kanë bërë një shtije në sheshin Nënë Terezë duke u shpërndarë qytetarëve materiale informative kundër duhanit, si dhe kanë vizatuar edhe tendën e vendosur në shesh nga aktivitet e “KUSA Center”, e cila u ka mundësuar qytetarëve që në këmbim te hedhjes së pakove të cigareve të marrin pemë vendore të freskëta me moton: Votoni kundër duhanit”.

Kundër nismës për ndryshimin e nenit 9.2

Kundër nismës për ndryshimin e nenit 9.2

kadc_media

Prishtinë, 3 maj, 2014

Koalicioni Anti-Duhan i Kosovës që përfaqëson më shumë se njëzet subjekte qeveritare dhe joqeveritare dhe përfaqësues edhe të organizatave ndërkombëtare në Kosovë (MSh, OBSH, KADC…) shprehet kategorikisht kundër çfarëdo ndryshimi në Ligjin për Kontrollin e Duhanit Nr. 04/L-156 dhe u bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos i nënshtrohen presionit të industrisë së duhanit, për të ndryshuar nenin 9.2 të këtij ligji, i cili ndalon paraqitjen apo ekspozimin e produkteve të duhanit në pikat e shitjes.

Ligji për Kontrollin e Duhanit, i cili u miratua më 4 prill 2013 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës pa asnjë votë kundër dhe i cili hyri në fuqi më 22 maj 2013, ka sjellë një ndryshim pozitiv në politikat e mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës, nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore të konsumimit të duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij.

Arsyetimet e nismës për ndryshim-plotësimin e paragrafit 2, të nenit 9, të Ligjit për Kontrollin e Duhanit Nr. 04/L156, se ky paragraf është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës janë të pabazuara, për arsye se Kushtetuta ka paraparë kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore, përfshirë edhe liritë komerciale, kur ajo është në interes publik të paraparë me ligj.

Nisma për ndryshime në këtë ligj, aq më tepër për ndryshimin e një neni që po zbatohet me korrektësi, për Koalicionin Anti-Duhan paraqet një kthim prapa në politikat e kontrollit të duhanit dhe të mbrojtjes së shëndetit publik dhe si e tillë nuk duhet të pranohen në asnjë mënyrë nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët një vit më parë, me miratimin e këtij ligji, mundësuan që Kosova të fillojë të frymojë lirshëm nga tymi i duhanit.

Për Koalicionin Anti-Duhan është shqetësues nxitimi i disa deputetëve që Kuvendit të Kosovës që nën presionin e industrisë së duhanit, të qesin për shqyrtim në parim propozimin për ndryshimin e nenit 9.2, bazuar në një nismë qytetare të industrisë së duhanit, e cila pa u bërë as dy muaj të plotë të zbatimit të ligjit ( në korrik 2013) dhe pa kryer asnjë hulumtim rreth efekteve të këtij neni, ndërmerr një iniciativë për ndryshimin e këtij neni, me pretendime të paargumentuara se ndalimi i ekspozimit të duhanit gjoja i dëmton bizneset.

Praktika e deritanishme në Kosovë, e ka dëshmuar të kundërtën, me që bizneset kanë respektuar këtë nen, ndërsa nuk ka asnjë të dhënë të prekshme, që mos-ekspozimi, ka ndikuar në profitin e tyre.

Koalicioni Anti-Duhan rithekson faktin se industria e duhanit, është e vetëdijshme për rëndësinë e reklamimit në pikat e shitjes (PESh), veçanërisht kur format e tjera të reklamave janë të ndaluara, prandaj, ajo në mënyrë agresive përpiqet të argumentoj për të mbrojtur reklamimin në PESh jo për të mbrojtur të drejtat e konkurrencës dhe të shprehjes, por për të mbrojtur fitimet e tyre.

Reklamimi dhe shfaqja e produkteve të duhanit në pikat e shitjes ka efekt direkt në shëndetin publik dhe Qeveritë duhet të lejohet të rregullohet, sepse reklamat në PESh (pikat e shitjes) rrisin eksperimentimin dhe fillimin e pirjes së duhanit tek të rinjtë, kurse studime te shumta ne botë kanë gjetur vazhdimisht lidhje të forta në mes ekspozimit në PESh, inicimit dhe ndjeshmërisë sa i përket pirjes së duhanit, sidomos tek te rinjtë.

Reklamimi në PESh rrit ndjenjën tek të rinjtë për të eksperimentuar dhe nisur pirjen e duhanit. Adoleshentët që frekuentojnë dyqane ku duhani reklamohet gjerësisht kanë dy herë më shumë gjasa për të filluar pirjen e duhanit; ekspozimi rrit gjasat që të rinjtë të lëvizin nga eksperimentimi me përdorimin e duhanit në përdorim të rregullt, dhe gjithashtu inkurajon blerjen impulsive (nga blerësi impulsiv) dhe e bën më të vështirë për përdoruesit që të ndërpresin përdorimin e duhanit.

Pra, shfaqja e duhanit ne pikat shitjes është një formë e fuqishme e reklamimit e përdorur nga industria e duhanit për të shitur produktet e saj dhe është veçanërisht efektive me të rinjtë dhe duhanpirësit që janë duke u përpjekur për ta lënë.

Në mënyrë që të zëvendësojnë klientët që e lënë duhanin ose vdesin, kompanitë e duhanit duhet të tërheqin përdorues të rinj për të ruajtur fitimet e tyre.

Kjo edhe është arsyeja, pse industria e duhanit ka lobuar gjatë gjithë kësaj kohe në nivele të ndryshme, në veçanti mbi deputetë të ndryshëm, që të ndryshohet ky nen.

Koalicioni Antiduhan thekson edhe një herë se ndalimet e ekspozimit në pikat e shitjes me pakicë janë në përputhje me rregullat ndërkombëtare të tregtisë. Ato janë të zakonshme në nivel global (për shembull, shitja me pakicë e produkteve të duhanit është e ndaluar në Mbretërinë e Bashkuar , Kanadë , Finlandë , Islandë , Australi, Zelanda të Re dhe Irlandë).

Industria e duhanit ka tentuar të ngre çështje gjyqësore duke pretenduar se ndalimi i shfaqjes së duhanit shkel ligjet ndërkombëtare të tregtisë – duke përdorur të njëjtat argumente si ato që janë përdorur në vendin tonë, por gjykatat kanë hedhur poshtë pretendumet e tyre si në rastin e Norvegjisë.
Për më tepër, nuk ka pasur rritje në tregun e paligjshëm të duhanit në shtetet të cilat kanë ndalime të shfaqjes së produkteve të duhanit, e as në vendin tonë, pasi që shtrirja e tregtimit të paligjshëm të duhanit është e përcaktuar nga faktorë të tillë si korrupsioni, prania e krimit të organizuar, dënimeve të ulëta për vepra dhe zbatimi i dobët i ligjit – faktorët që nuk kanë lidhje me politikat e kontrollit të duhanit.

Koalicioni Antiduhan rikujton se është Ligji për Kontrollin e Duhanit dhe sukseset e para të tij ai që bëri që në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, ky fakt të evidentohet si një sukses në fushën e shëndetit publik, prandaj, mund ta marr me mend secili se çfarë do të shkruhej në këtë raport për këtë viti, në rast se Kuvendi i Republikës së Kosovës bën një hap prapa me këtë ligj dhe merr në konsideratë kërkesën e pakuptimtë të industrisë së duhanit për ndryshimin e nenit të lart-theksuar.

Duke qenë që Ligji për Kontrollin e Duhanit është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për çfarë është e vetëdijshme edhe industria e Duhanit, ndryshe ajo do t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për interpretim; në pëputhje të plotë me Konventën Kornizë për Kontrollin e Duhanit (KKKD) dhe udhëzimet e saj dhe është një ligj që nuk lë vend për dykuptimësi dhe një prej ligjeve më të mirëprituara nga qytetarët e vendit tonë; Koalicioni Antiduhan i bën thirrje Kuvendit që të hëdh poshtë çfarëdo ndërhyrje në ndryshim-plotësimin e këtij ligji, i cili është në përputhje me legjislacionin evropian, sepse çdo ndërhyrje do t’i dëmtonte përpjekjet e Qeverisë së vendit për të fuqizuar masat për mbrojtjen e shëndetit publik të popullatës dhe do ta ulte besimin e qytetarëve ndaj Kuvendit të Kosovës.

Për më tepër, për Koalicionin Antiduhan, ndërhyrja në kuptimin regresiv te ky ligj nga ana e Kuvendit, do të ishte një masakër legjislative ndaj shëndetit të gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme të popullatës së sonë, në veçanti, ndaj fëmijëve tanë.

Besojmë fuqishëm që deputetët kosovarë janë të vetdijshëm për këtë fakt dhe do t’i thonë JO, interesave komerciale dhe do të mbrojnë shëndetin e popullatës, ashtu siç bën vitin e kaluar.

Tryeza në Podujevë

Tryeza e rrumbullakët në Podujevë

“Ndryshimi kulturor që po e sjellë zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit në shoqërinë tonë”
– Komuna e Podujevës –

E premte, 07 mars 2014

Takimi i organizuar sot nga KADC në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë për qëllim kishte ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për respektimin e Ligjit për kontrollin e duhanit dhe nxitjen e organeve përgjegjëse në kryerjen e detyrave ligjore për mbikëqyrjen efektive të zbatimit të këtij ligji në komunën e Podujevës.

1922011_662631403799667_1224978990_nNë takim morën pjesë përfaqësues nga ministria e shëndetësisë, OBSH, KADC, Policia e Kosovës, inspektorati sanitar qendror, inspektorati sanitar komunal nga Pudujeva, drejtoria komunale e arsimit, shoqëria civile, përfaqësues të mediave, nxënës dhe qytetarë nga komuna e Podujevës.

Nga diskutimet në këtë takim u konstatua se zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit në komunën e Podujevës është në nivel mjaftë të ulët dhe u shtrua nevoja e mobilizimit të organeve zbatuese të ligjit dhe ngritjes së bashkëpunimit me shoqërinë civile në rajonin e Podujevës.

Dr. Skender Syla udhëheqës i zyrës së OBSh në Prishtinë tha që në vit në Kosovë nga pasojat e duhanpirjes vdesin prej 1500 deri 2000 persona nderkaq që për konsumimin e duhanit kosvarët në vit shpenzojnë mbi 300.000.000 Euro.

Si një nga vështirësitë e përmendura u permend procedimi i gjobave nga ana e gjykatave krahas jo respektimit të ndalesës së pirjes së duhanit.

Drejtoresha e inspektoriatit z. Ilirijana Zymberaj ngriti cështjen e përpilimit të lëndëve dhe nevojen urgjente për koordinim me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për mënyrën e përpilimit të lëndëve për kundërvajte nderkaq që prania e Policisë së Kosovës gjatë vizitave inspektuese ndihmon shumë në evitimin e konflikteve fizike me qytetar të cilët shkelin ligjin.

Policia e Kosovës shprehu gatishmërinë të asistojë në vizitat monitoruese të inspektoratit sanitar në rajonin e Podujevës. Gjithashtu, kërkoi angazhimin e nivelit ndërministror në ekzekutimin e lëndëve të dorzuara në gjykatën për kundërvajtje.

Inspektori komunal z. Mehdi Latifi tregoi për gjendjen aktuale të zbatimit të ligjit në komunën e Podujevës. Sipas tij ka qenë shumë i vështirë zbatimi i ligjit nëpër restorane për shkak të mungesës së inspektorit sanitar dhe automjeteve për vizita në tërë komunën. Vetëm një automjet është në dispozicion për të gjithë inspektorat komunal. Deri më tashti niveli i zbatimit është i knaqshëm dhe është arritur që të mos ketë në restoran taketuke.
Inspektorja santiare e sapo emruar znj. Florije Abazi-Besholli tha që sapo ka filluar punën dhe i nevojitet pak kohë deri sa të filloi me vizita inspektuese dhe ndëshkime eventuale.

Drejtori i drejtoriatit për arsim z. Nexhmi Rudari foli për ndryshimin kulturor. 30 vite më parë në shoqërinë kosovare nëpër dasma janë shpërndar cigare edhe për fëmijë. Kjo dukuri nuk ekziston më. Sipas tij nevojitet kohë për një “change of mind set” apo ndryshim të mendjesisë. Ndërkaq zbatimi i ligjit përkundër urdhëresës së Kryetarit të Komunës për ndalim të pirjes, në dy shkolla nuk është respektuar.

Përfaqësuesi nga mediat (RTK dhe Radio Visioni lokal) z. Fazli Veliu tha që ligji nuk respektohet fare dhe shtrojë nevojën për veprim konkret. Ai poashtu tha se nuk ekzsiton bashkëpunimi i qytetarëve në paraqitjen e rasteve të shkeljes së ligjit.

Nderkaq përfaqësuesi tjetër (Koha Ditore) z. Nexhat Toverlani tha as në komunë nuk zbatohet ligji dhe se në byten e saj shkelet ligji.
Nga shoqëria civile znj. Anita Cakiqi ngriti nevojën për informimin e qytetarëve për pasojat dhe rreziqet e duhanpirjes për shendetin; znj. Falkona Hasani nuk e arsyetoi mungesën e automjetit për vizita inspektuese kur ato mund të bëhen edhe në këmbë ndërkaq z. Bujar Gimolli nga AFRK – Alternativa për Fuqizimin e Rinisë së Kosovës në Podujevë tha se nevojitet kohë për ndryshimin e kulturës dhe fushatë vetëdijësuese për qytetar më shumë se ndëshkime më gjoba.

Në fund të takimit të pranishmit u morrën vesh që të formohet një grup punues jo formal për promovimin e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit në komunën e Podujevës në këtë përbërje:

1. Bujar Gimolli – AFRK, Koordinator i grupit
2. Flakona Hasani – Nxënese
3. Florije Abazi-Busholli, Inspektore sanitare
4. Kushtrim Maloku – psikolog shkolle
5. Një përfaqësues nga Policia e Kosovës
6. Eset Blakqori – Inspektor i arsimit
7. Fazli Veliu – përfaqësues nga mediat
8. Valdet Qitaku – përfaqësues i kafiterive lokale