KADC Për të ardhmen e vendit
Menyja
Nënshkruaj Peticionin Kthehu në fillim

Thirrje e Hapur për Vullnetarë

Titulli i Projektit: PIAKOS

Pozita: 10 vullnetarë me pagesë për fushatën për rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat pronësore

Datë: 25 korrik, 2024

Afati i fundit për aplikim: 4 gusht, 2024

1. Përmbledhje e Projektit

Projekti Nisma për të Drejtën e Pronës (NDP), zbatohet nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC), bashkë-zbatohet nga Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC), dhe financohet nga Banka Botërore/ Fondi për Paqe dhe Shtet-Ndërtim. NDP, synon të adresojë nevojën kritike për përmirësimin e qasjes në informacionin për regjistrimin e tokës dhe pronës, si dhe ofrimin e shërbimeve të këshillimit në lidhje me të drejtat pronësore për gratë, të rinjtë dhe personat e cenueshëm në Kosovë. Aktivitetet e projektit do të ndihmojnë në përmirësimin e kushteve socio-ekonomike për zhvillim të qëndrueshëm dhe paqësor, duke ndihmuar komunitetet me dokumentacionin e nevojshëm dhe të mbështetur ligjërisht për forcimin e sigurisë së të drejtave mbi tokën/pronën, duke ofruar një mundësi për pjesëmarrjen e tyre në ekonominë më të gjerë dhe duke vendosur bazat për një shoqëri më të barabartë.

KADC si bashkë-zbatuese  e projektit NDP, në kuadër të këtij projekti do të zhvillojë një fushatë ndërgjegjësimi derë-më-derë me qëllim të ngritjes së vetëdijes, vlerësimit të njohurive dhe bashkëbisedimit me qytetarë në lidhje me të drejtat e pronësisë, regjistrimin e pronës dhe mekanizmat në dispozicion për të zgjidhur dhe lehtësuar çështjet e mundshme të pronës në katër komuna te Kosovës. 

2. Rreth Pozitës

KADC po kërkon vullnetarë të motivuar për t’u bashkuar me ekipin tonë në fushatën për rritjen e ndërgjegjësimit dhe të njohurive të popullatës për të drejtat e pronësisë në komunat e Prishtinës, Fushë Kosovës, Lipjanit dhe Obiliqit.

Vullnetarët e angazhuar do të zhvillojnë fushatë vetëdijësuese nëpër shtëpi në rajonet e caktuara dhe do të anketojnë qytetarët në lidhje me njohuritë e tyre për të drejtën e pronës, regjistrimin e pronës dhe mekanizmat në dispozicion për të zgjidhur dhe lehtësuar çështjet e mundshme të pronës. Çdo vullnetar do të vizitojë së paku katër shtëpi në ditë, duke angazhuar banorët për t’i pajisur ata me njohuri të vlefshme që lidhen me të drejtën e pronës.

3. Detyrat dhe Përgjegjësitë

  • Pjesëmarrja në seancat e trajnimit mbi regjistrimin e pronës, të drejtat e pronës, shërbimet kadastrale dhe identifikimin e përfituesve të ndihmës juridike falas,
  • Kryerja e aktiviteteve të ndërgjegjësimit dhe amketimit derë-më-derë në zonat e caktuara: Prishtinë (200 banorë), Fushë Kosovë (100 banorë), Obiliq (100 banorë) dhe Lipjan (100 banorë),
  • Angazhimi i banorëve, përgjigja në pyetjet të tyre dhe qartësimi i çështjeve të së drejtave të pronësisë dhe regjistrimit të pronës,
  • Shpërndarja e materialeve informuese,
  • Administrimi dhe plotësimi i pyetësorëve për të vlerësuar nivelin e njohurisë së popullatës,
  • Mbledhja, grumbullimi dhe regjistrimi me saktësi i të dhënave në pyetësor,
  • Raportimi i gjetjeve tek koordinatorët e projektit.

4. Përfitimet

  • Punë vullnetare me pagesë bazuar në vizitat derë-më-derë,
  • Përfitimi i një përvojë të vlefshme në zhvillimin e fushatave për ndërgjegjësimin dhe edukimin e popullatës,
  • Zhvillimi i aftësive të komunikimit dhe ndërveprimit,
  • Ngritja e kapaciteteve personale në fushën e të drejtave pronësore,
  • Dhënia e kontributit direkt ne fuqizimin dhe rritjen e njohurive të popullatës mbi të drejtat e tyre të pronës,
  • Përvojë praktike në mbledhjen e të dhënave dhe angazhimin në komunitet,
  • Mundësi për rrjetëzim me partnerët dhe palët e interesit të projektit,
  • Marrja e një certifikate pjesëmarrjeje.  

5. Kualifikimet

  • Student aktual i fakultetit juridik në njërin nga universitet në Kosovë. Në vitin e fundit të studimeve ose të sapo diplomuar (e preferuar),
  • Aftësi të forta komunikimi dhe ndërveprimi,
  • Entuziazëm për angazhimin në komunitet dhe edukimin juridik,
  • Njohuri të gjuhës angleze (e preferuar).

6. Kohëzgjatja

Përcaktohet në bazë të angazhimit.

7. Si të Aplikoni

Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentet si në vijim:

  • Curriculum Vitae (CV) duke theksuar përvojën relevante,
  • Një letër të shkurtër interesi (maksimum 500 fjale),
  • Certifikata mbi dënimet penale (eKosova).

Ju lutemi, dërgoni aplikimin tuaj me email në info@kadc-ks.org.  Subjekti i e-mailit duhet të jetë “Aplikim për vullnetarë”. Aplikacionet pranohen vetëm në mënyrë elektronike. Vetëm kandidatët që do të hynë në listën e ngushtë do të njoftohen për intervistë apo hapat e mëtejmë të procesit te përzgjedhjes.

Aplikimet inkurajohen nga të gjithë kandidatët e kualifikuar, pavarësisht nga përkatësia etnike, mosha, besimi, orientimi seksual apo identiteti gjinor.

Strategjitë dhe Taktikat e Ndikimit të Industrisë së Duhanit

Prishtinë, 30 janar 2024

Raporti hulumtues

‘Strategjitë dhe Taktikat e Ndikimit të Industrisë së Duhanit në Politikat e Shëndetit Publik në Kosovë” synon të paraqesë strategjitë e industrisë së duhanit për të influencuar politikat e shëndetit publik në Kosovë, dhe të identifikojë aktorët kyç dhe metodat që përdoren nga kjo industri për të avancuar interesat e saj.

Nëpërmjet një analize të hollësishme, raporti shpërfaq mënyrat në të cilat industria e duhanit përpiqet të ndikojë në politikat publike dhe të rrisë përfitimet e veta ekonomike përkundër përpjekjeve të institucioneve dhe shoqërisë për të reduktuar përdorimin e duhanit për të mbrojtur shëndetin e publikut.

Në përputhje me angazhimet ndërkombëtare dhe për të përballuar sfidat specifike që paraqet industria e duhanit, Kosova në vitin 2013 ka adoptuar Ligjin për Kontrollin e Duhanit, i bazuar në parimet dhe standardet e vendosura nga OBSh. Ky ligj, përveç tjerash, synon të kufizojë ndërveprimet e qeverisë me industrinë e duhanit dhe të sigurojë transparencën në rregullimin efektiv të kësaj industrie.

Edhe pse ligji për kontrollin e duhanit është miratuar që në vitin 2013, përpjekjet e vazhdueshme të industrisë për ta dobësuar zbatimin sjellin sfida të konsiderueshme për shëndetin publik.

Në vendin tonë industria e duhanit që nga paslufta ka përdorur dhe vazhdon të përdorë taktika të ndryshme të ndërhyrjes në politikat e shëndetit publik, përfshirë lobimin tek institucionet qeveritare, ndikimin në politikat e taksave mbi duhanin dhe kundërshtimin e rregullimit të paketimeve të produkteve të duhanit.

Shkarko raportin këtu

Industria e duhanit shfrytëzon odat ekonomike, si Oden Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Oden Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK), për të ndikuar në politikat publike, për të dobësuar dhe për të penguar zbatimin e politikave të kontrollit të duhanit që mbrojnë shëndetin e qytetarëve. Këto politika shëndetësore bien ndesh me interesat e industrisë së duhanit që synojnë të ruajnë dhe rrisin numrin e duhanpirësve dhe përfitimet ekonomike vetjake të saj.

Nëpërmjet odave ekonomike, industria e duhanit ka kërkuar ndryshime, ka kritikuar aspekte specifike dhe ka kërkuar vonim të zbatimit të politikave të kontrollit të duhanit. Nëpërmjet takimeve dhe letrave të dërguara Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrive e institucioneve tjera, këto oda janë përpjekur të ndikojnë në përmbajtjen dhe të zgjasin afatet kohore për implementim të udhëzimit administrativ për vërejtjet e kombinuara.  

Edhe pse Udhëzimi Administrativ për Vërejtjet e Kombinuara është dashur të aprovohej që në vitin 2016, ky proces mori kohë deri në shtator të vitit 2023, kur edhe u miratua nga Ministria e Shëndetësisë. Përkundër kësaj, industria e duhanit ka vazhduar t’i kundërvihet zbatimit të këtij Udhëzimi, duke pretenduar se procesi i prodhimit është shumë i komplikuar për të përmbushur afatet e përcaktuara. Ka vazhduar të përdor argumentet e vjetra të njohura të industrisë së duhanit  për rritjen potenciale të tregtisë së paligjshme, për ndikimin në ekonominë e vendit dhe paradoksalisht edhe për gjëja brengosjen e tyre për efektet negative që mund të ketë në shëndetin e konsumatorëve.

Industria e duhanit ka tentuar të ndërhyjë edhe në dispozitat kyçe të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, sikur që është rasti kundërshtimit të nenit që ndalon shfaqjen e produkteve të duhanit në pikat e shitjes dhe  rasti i ndikimit tek qeveritë e kaluara për të ndryshuar politikat e tatimeve mbi duhanin, në favor të bizneseve specifike brenda sektorit të duhanit.

Si rezultat i këtij ndikimi Qeveria e Republikës së Kosovës në vitin 2018, kishte ulur tatimin e akcizës për produktet e duhanit dhe ndryshuar disa politika bujqësore duke favorizuar prodhimin vendas të duhanit. Këto vendime ishin anuluar nga Qeveritë e mëvonshme, në vitin 2020.

Një aspekt  tjetër i strategjisë së industrisë për të shpërfaqur një imazh të favorshëm në sytë e publikut është sponsorizimi i ngjarjeve dhe çmimeve për gazetarë, si çmimi “Vangjush Gambeta”. Përmes mbështetjes së shoqatave të gazetarëve dhe mediave, industria e duhanit tenton të portretizojë veten si një kontribuues në përmirësimin e lirisë së shtypit dhe zhvillimin e gazetarisë profesionale si dhe të krijoj një perceptim pozitiv nga publiku e rrjedhimisht ulë ndërgjegjësimin për rreziqet që lidhen me produktet që industria prodhon dhe shet.

Ndërveprimi i qeverisë me industrinë e duhanit, si dhe me aktorë të tjerë që mbrojnë interesat e kësaj industrie, në procesin e vendimmarrjes politike, mund të rezultojë në mbështetje dhe legjitimim të politikave pro-duhanit nga këto entitete. Kjo situatë sjell një zhvillim gradual që mund të normalizojë duhanin si një produkt të përditshëm.

Ndërveprimet mes qeverisë dhe industrisë së duhanit kanë potencialin të influencojnë mendimin publik dhe të nxisin një atmosferë ku konsumi i duhanit është i toleruar dhe miratuar nga institucionet shtetërore. Pasojat e tilla mund të jenë të rënda për shëndetin e publikut dhe për trajtimin e çështjes së duhanit si një problem social dhe shëndetësor i rëndësishëm.

Për të zvogëluar ndikimin e industrisë së duhanit dhe për të krijuar një mjedis më të shëndetshëm për qytetarët hulumtimi jep një sërë rekomandimesh. Disa nga rekomandimet përfshijnë zbatimin e politikave të mosbashkëpunimit me industrinë e duhanit, rritjen e transparencës nga dhomat ekonomike, forcimin e mekanizmave të monitorimit, rritjen e burimeve për edukimin e publikut dhe mbështetjen e grupeve të interesit.

Komuna e Prishtinës miraton Planin për Cilësinë e Ajrit

Me 30 nëntor 2023, Asambleistët e Kuvendit të Komunës së Prishtinës miratuan Planin për Cilësinë e Ajrit për periudhën 2024-2028. Pas dy vitesh punë dhe përkushtimi, ky plan paraqet një sërë masash të ndërmarra për të lehtësuar dhe parandaluar ndotjen e ajrit në Prishtinë. Rëndësia e këtij plani është e theksuar, pasi ndikon drejtpërdrejt në mbrojtjen e shëndetit publik. Ndërmarja e masave për të zvogëluar ndotjen e ajrit siguron një mjedis më të pastër për komunitetin dhe shërben si investim në mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve të Prishtinës.

Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim ka luajtur një rol kyç në hartimin e këtij plani, ndërsa zhvillimi i tij është drejtuar nga Znj. Seniha Bajraktari, kryesuese e grupit punues me shtatë anëtarë. Ky hap shënon një ndërhyrje të rëndësishme për të siguruar një mjedis më të pastër dhe një të ardhme më të qëndrueshme për komunën e Prishtinës.

Ndotja e ajrit ka ndikim negativ të drejtpërdrejt në shëndetin e banorëve të Prishtinës. Është shkaktar i shumë sëmundjeve kronike si problemet e frymëmarrjes, sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri. Kjo realitet i rëndësishëm në shëndetin publik shton urgjencën dhe rëndësinë e masave të miratuara nga Kuvendi.

Tubat pasiv për matjen e Dioksidit të Azotit NO2 në Prishtinë

Masat e miratuara nga Kuvendi janë si vijon:

  1. Ndërhyrje për Automjete më të Pastra në Prishtinë;
  2. Promovim i Transportit Publik Lokal dhe Hapësirave të Gjelbra Publike;
  3. Inkurajim i Ecjes dhe Çiklizmit;
  4. Krijim i Zonës me Emetim të Ulët;
  5. Përdorim i Ngrohjes më të Pastër;
  6. Monitorim i Cilësisë së Ajrit në Prishtinë.

Ky hap është një përpjekje e përbashkët për të siguruar jetën më të shëndetshme dhe mjedisin më të qëndrueshëm për banorët e Prishtinës.

Planin mund ta shkarkoni këtu