Duhani – një kërcënim për zhvillim

Dita Botërore Pa Duhan 2017

31 maj 2017 – Sot shënohet Dita Botërore Pa Duhan me temën e përzgjedhur për vitin 2017  “Duhani – një kërcënim për zhvillim”.

Fokusi i kësaj dite ishte ndaj kërcënimeve që industria e duhanit paraqet për zhvillimin e qëndrueshëm të secilit vend, duke përfshirë problemet që shkakton tek shëndeti dhe mirëqenia ekonomike e qytetarëve. Në mënyrë që lidhshmëria mes përdorimit të produkteve të duhanit, kontrollimit të duhanit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vihet në pah për qytetarët.

Në shënimin e kësaj dite të rëndësishme për shëndetin, ishin KADC, MSh-ja, IKSHPK, OBSH dhe përfaqësues nga inspektorati sanitar i Kosovës.

Qëllimi i këtij takimi, ishte nxitja për inkuadrim të kontrollit të duhanit, në Agjendën për zhvillim të qëndrueshëm 2030.

Faktet e prezantuara mbi dëmet e duhanit gjatë këtij takimi, ishin:

  • Rreth 6 milionë njerëz vdesin çdo vit nga përdorimi i duhanit, një shifër e cila parashikohet të rritet në më shumë se 8 milionë në vit deri në vitin 2030 nëse nuk do të ndërmerren nisma konkrete.
  • Përdorimi i duhanit i kushton jashtëzakonisht shumë ekonomive kombëtare, nëpërmjet rritjes së shpenzimeve të kujdesit shëndetësor dhe zvogëlimit të produktivitetit.
  • Konsumi i duhanit rrit varfërinë, pasi njerëzit e varfër shpenzojnë më pak në gjërat e domosdoshme si ushqimi, arsimi dhe kujdesi shëndetësor.
  • Rreth 80% e vdekjeve të parakohshme nga duhani ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme.

Përpos diskutimit mbi faktet dhe pasojat e duhanpirjes, nuk u lanë pa u përmendur edhe masat e veprimet që qeveria dhe publiku duhet të ndërmarrin për të promovuar shëndetin, e për të konfrontuar kërcënimet që vijnë nga duhani dhe industria e duhanit. Por nuk u la anash edhe paralajmërimi se  lufta për një Kosovë të lirë nga kërcënimet e duhanit vazhdon, e duhet të jetë produkt e fryt i punës së vazhdueshme e të përbashkët të të gjithë akterëve.

Author:

Share This Post On