E Drejta për Ajër të Pastër- vrasësi i padukshëm NO2

KADC lansoi fushatën E Drejta për Ajër të Pastër- vrasësi i padukshëm NO2 – e cila do të zgjatë për një vit!

Në konferencën për media morrën pjesë Seniha Bajraktari, Zyrtare e Lartë për Ambient dhe Menxhere e Cilësisë së Mjedisit në komunën e Prishtinës, Tahire Gjergji nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe ekspertët nga organizata gjermane Deutsche Umwelthilfe.

Ndotja e ajrit është rreziku më i madh mjedisor për shëndetin dhe shkaktari kryesor i efekteve të dëmshme shëndetësore që përkeqëson sëmundjet e frymëmarrjes dhe kardiovaskulare. Ekspozimi ndaj përqendrimeve të grimcave të imta mbi nivelin e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për vitin 2021 ka rezultuar me 238.000 vdekje të parakohshme në Bashkimin Evropian. Ndërkaq në Kosovë ka rezultuar me 3.100 vdekje të parakohshme apo 30.400 vite jete të humbura.

Shkarkimi i dëmshëm i vrasësit të padukshëm dioksidit të azotit (NO2) nga automjetet me naftë në trafikun rrugor është një kërcënim i madh në zonat urbane. Rezultatet nga e gjithë Evropa tregojnë se ndotja që vjen nga dioksidi i azotit është më e lartë se sa që të dhënat zyrtare tregojnë. Kemi shumë pak stacione zyrtare të monitorimit që evidentojnë gjendjen reale në rrugët e qytetit, mirëpo dhe ato që tashmë ekzistojnë shpesh nuk ndodhen në vendet më të ndotura.

Të jetosh sot në Prishtinë është me rrezik për shëndetin për pjesën më të madhe të vitit. Rreth 70% e ndotjes urbane të ajrit i atribuohet shkarkimit të emisioneve në ajër nga një numër i madh i automjeteve të vjetra, mirëmbajtjes së dobët të automjeteve, infrastruktures jo adekuate të rrugëve dhe cilësisë së ulët të karburanteve. Njerëzit që jetojnë ose punojnë përgjatë rrugëve të ngarkuara janë veçanërisht të prekur. Fatkeqësisht, kjo vlen edhe në mjediset e kujdesit shëndetësor, shkolla, kopshte dhe ambiente për të moshuarit, ku nga matjet janë zbuluar nivele shumë të larta të NO2. Në të njëjtin nivel me frymëmarrjen e fëmijëve, pra afërsisht një metër, ajri shpesh është edhe më i ndotur me emetime të dëmshme të naftës sesa në lartësinë zyrtare të matjes së NO2 midis 1.5 dhe 4 metra.

Organizata “Deutsche Umwelthilfe” përmes një rrjeti mbarëevropian dhe mbështetjes lokale ka matur dhe krijuar një pasqyrë të ndotjes nga dioksidi i azotit në 16 vende evropiane. Me ndihmën e kësaj organizate, KADC për gjatë një viti do të bëj matjen e NO2 me mostra pasive në zonat urbane në komunën e Prishtinës, krahasoj me matjet zyrtare dhe informoj publikun mbi vlerat e ndotësit NO2. Me këto të dhëna Kosova i bashkohet 16 shteteve evropiane që kanë krijuar pasqyrën e ndotjes urbane të ajrit nga NO2 në kryeqytete dhe kane ndërmarr masa konkrete për mbrojtjen e ajrit.

Për të reduktuar përqendrimin e dioksidit të azotit në ajrin që thithim, ne kemi nevojë për një ndryshim në lëvizshmëri drejt mënyrave më aktive të lëvizjes, më shumë transport publik dhe më pak makina në qytete.
#KADC

See less

Comments

Author:

Share This Post On