KADC ngrit bashkëpunimin ndërinstitucional në mes të Kosovës dhe Turqisë
Janar 2015
KADC ka mundësuar që përfaqësuesit nga koalicioni antiduhan dhe nga institucionet përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit në Kosovë, të bëjnë një vizitë një javore në Ankara të Republikës së Turqisë.
Gjatë kësaj vizite përfaqësuesve nga Kosova u është mundësuar të bashkëpunojnë me zyrtarë të lartë shtetëror të Turqisë, të cilët janë përgjegjës për kontrollin e duhanit si dhe u është mundësuar të shohin nga afër aktivitetet konkrete të cilat e mundësojnë dhe e përforcojnë zbatimin e ligjit në Turqi.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi në mes të përfaqësuesve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, është që të ndajnë praktikat e tyre të mira në mes tyre në mënyrë që pasi të kthehen t’i zbatojnë këto praktika edhe në Kosovë, për të forcuar zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit.
Ky bashkëpunim në mes të përfaqësuesve nga Kosova u bë pikërisht me përfaqësuesit nga Turqia sepse Republika e Turqisë është shteti i parë në botë që ka arritur të zbatojë me sukses M-POWER ( Monitor-Protect-Offer-Warn-Enforce-Raise ), kritere të OBSH-së për të mundësuar luftën kundër duhanit, pavarësisht se është një prej prodhuesve më të njohur të duhanit në botë dhe konsumimi i tij në këtë vend ka qenë i lartë.
Gjatë kësaj kohe ata kanë vizituar:
· Institutin e Shëndetit Publik në Universitetin e Hacettepe-së një nga universitete më prestigjioze në Turqi;
· Institucionin Rregullativ për Duhan dhe Alkool;
· Poliklinikën për lënien e duhanit; si dhe
· “Alo 184”-Qendrën e Komunikimit të Ministrisë së Shëndetësisë
Por në të njëjtën kohë atyre u është mundësuar edhe vëzhgimi i drejtpërdrejt i punës së ekipeve të inspektimit për zbatimin e ligjit të duhanit në ambiente gastronomike dhe hoteleri në Ankara.