Kryetari i Prishtinës Z. Shpend Ahmeti, përkrah Ligjin për Duhanin
Prishtinë, 12 mars 2015 –
Përfaqësues të Koalicionit Anti-duhan në Kosovë: Faik Hoti, Koordinator Nacional për Kontrollin e Duhanit (MSh), Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSh-së në Kosovë, Ibrahim Tërshnjaku nga Inspektorati Sanitar (AUVK) dhe Shkumbin Spahija e Arben Lila nga Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) u pritën sot nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit komunal Xhelel Sfeçla.
Kryetari Shpend Ahmeti ka shprehur përkrahjen e Komunës së Prishtinës për zbatimin e këtij ligji, duke spikatur në të njëjtën kohë edhe vështirësitë e natyrave të ndryshme rreth zbatimit të tij. Ai tha se inspektorët e Komunës së Prishtinës do ta vazhdojnë monitorimin dhe ushtrimin e përgjegjësive për zbatimin e këtij ligji, duke aplikuar qasje të barabartë para të gjithë individëve e subjekteve të ndryshme.
Përfaqësuesit e Koalicionit Anti-duhan vlerësuan se Ligji për Kontrollin e Duhanit është ligji më i rëndësishëm në fushën e shëndetit publik dhe mbrojtjes së shëndetit të popullatës, ndërsa theksuan se, me gjithë shkeljet që hasen, Prishtina qëndron më mirë se komunat e tjera në zbatimin e këtij ligji dhe mund të jetë modeli që duhet ta marrin edhe komunat e tjera sa i përket zbatimit të këtij.
Në takim, u tha se Ligji për Kontrollin e Duhanit në komunën e Prishtinës zbatohet relativisht mirë dhe që shkelësit nuk do të tolerohen pa marr parasysh profilin. Rasti i fundit i ndëshkimit të Ministres Tahiri ilustron seriozitetin në punën e inspektoriatit komunal.
Konkludim i përbashkët i kësaj mbledhje ishte se masat për zbatimin e ligjit duhet të fuqizohen me qëllimin që qytetarët të mbrohen nga pasojat shkatërruese të duhan-pirjes dhe mjediset siç i ka përcaktuar ligji të jenë të liruara nga duhanpirja.