Ka filluar vendosja e tubave pasiv për matjen e NO2 nëpër rrugët e Prishtinës në komunën e Prishtinës së bashku me autoritetet e komunës.
Matja do të bëhet gjatë tërë vitit 2023 dhe rezultatet do të krahasohen me ato zyrtare. Këto matje janë bërë nëpër qendrat më të mëdha të Evropës. Tani është radha edhe e Kosovës, konkretisht kryeqytetit për të demonstruar që ndotja e ajrit nga vrasësi i padukshëm është shumë më i madh se sa tregonë matjet zyrtare!
Të jetosh sot në Prishtinë është me rrezik për shëndetin për pjesën më të madhe të vitit. Rreth 70% e ndotjes urbane të ajrit i atribuohet shkarkimit të emisioneve ne ajër nga një numër i madh i automjeteve të vjetra, mirëmbajtjes së dobët të automjeteve, infrastruktures jo adekuate të rrugëve dhe cilësisë së ulët të karburanteve. Njerëzit që jetojnë ose punojnë përgjatë rrugëve të ngarkuara janë veçanërisht të prekur. Fatkeqësisht, kjo vlen edhe në mjediset e kujdesit shëndetësor, shkolla, kopshte dhe ambiente për të moshuarit, ku nga matjet janë zbuluar nivele shumë të larta të NO2. Në të njëjtin nivel me frymëmarrjen e fëmijëve, pra afërsisht një metër, ajri shpesh është edhe më i ndotur me emetime të dëmshme të naftës sesa në lartësinë zyrtare të matjes së NO2 midis 1.5 dhe 4 metra.
Ndotja e ajrit është rreziku më i madh mjedisor për shëndetin dhe shkaktari kryesor i efekteve të dëmshme shëndetësore që përkeqëson sëmundjet e frymëmarrjes dhe kardiovaskulare. Ekspozimi ndaj përqendrimeve të grimcave të imta mbi nivelin e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për vitin 2021 ka rezultuar me 238.000 vdekje të parakohshme në Bashkimin Evropian. Ndërkaq në Kosovë ka rezultuar me 3.100 vdekje të parakohshme apo 30.400 vite jete të humbura.
Shkarkimi i dëmshëm i vrasësit të padukshëm dioksidit të azotit (NO2) nga automjetet me naftë në trafikun rrugor është një kërcënim i madh në zonat urbane. Rezultatet nga e gjithë Evropa tregojnë se ndotja që vjen nga dioksidi i azotit është më e lartë se sa që të dhënat zyrtare tregojnë. Kemi shumë pak stacione zyrtare të monitorimit që evidentojnë gjendjen reale në rrugët e qytetit, mirëpo dhe ato që tashmë ekzistojnë shpesh nuk ndodhen në vendet më të ndotura.