Tryeza në Ferizaj

Tryeza e rrumbullakët në Ferizaj

“Ndryshimi kulturor që po e sjellë zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit në shoqërinë tonë” – Komuna e Ferizajt –

E Premte, 15 Nëntor 2013

Takimi i organizuar sot nga KADC në bashkëpunim me OJQ “INPO”, zyrën e OBSH- Prishtinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për respektimin e Ligjit për kontrollin e duhanit dhe nxitjen e organeve përgjegjëse në kryerjen e detyrave ligjore për mbikëqyrjen efektive të zbatimit të këtij ligji.

1415104_10151994666775816_1407547870_oNë takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, OBSH, KADC, OJQ “INPO”, Policia e Kosovës- drejtoria e përgjithshme dhe përfaqësues nga rajoni i Ferizajt, inspektorati sanitar qendror, inspektorati sanitar komunal- Ferizaj, Kaçanik, Hani i Elezit, Kamenicë, inspektorati i arsimit, IKSHP- dega në Ferizaj, përfaqësues të shoqërisë civile dhe media nga komuna e Ferizajt.

Nga diskutimet në këtë takim u konstatua se zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit në komunën e Ferizajt është relativisht i ulët. Ka shkelje të ligjit (tymosje të duhanit) në lokalet gastronomike; nuk përjashtohen rastet e tymosjes së duhanit në institucionet publike duke përfshirë këtu edhe institucionet arsimore sidomos në oborre të tyre.

Përfaqësues të qytetarëve dhe shoqërisë civile deklaruan se ka shkelje të vazhdueshme të ligjit (tymosje të duhanit) në hapësirat e mbyllura dhe kërkuan një qasje gjithëpërfshirëse të inspektoratit në zbatimin e ligjit duke ndëshkuar subjektet shkelëse të ligjit, pasi që toleranca ndaj atyre jep mesazh të gabueshëm dhe dëmton subjektet afariste që e respektojnë ligjin.

Me ftohjen e motit, subjektet gastronomike në Ferizaj kanë filluar ndërtimin e hapësirave shtesë në të cilat lejohet pirja e duhanit. Sipas pjesëmarrësve, këto hapësira nuk i përmbushin kriteret e parapara me ligj për hapësira të hapura, dhe aty duhet ndaluar pirja e duhanit apo të modifikohen në përputhje me ligjin.

Një dukuri shumë shqetësuese u përmend të jetë shitja e produkteve të duhanit fëmijëve dhe nga fëmijët në duke shtruar nevojën urgjente për një angazhim më të madh të inspektoratit komunal të tregut për eliminimin e kësaj dukurie.

Përfaqësues të inspektoratit sanitar në komunën e Ferizajt thanë se janë të angazhuar për zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit duke përmendur këtu edhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen siç është mungesa e stafit dhe vështirësitë në shqiptimin e gjobave personave fizik. Sipas këtij inspektorati që nga hyrja e në fuqi e ligjit për kontrollin e duhanit janë përpiluar 2 procesverbale. Gjithashtu shtuan se pas gjatë 2 javëve të ardhshme do të intensifikojnë inspektimet për eliminimin e hapësirave shtesë që janë në kundërshtim me ligjin.

Policia e Kosovës e përfaqësuar nga drejtoria e përgjithshme dhe ajo rajonale shprehu gatishmërinë të asistojë inspektoratin në zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit dhe se është e përkushtuar që ta zbatoj ligjin me përpikëri.

Rekomandimet e nxjerra nga takimi

  • Të formohet grupi koordinues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit në rajonin e Ferizajt i përbërë nga: IKSHP- dega në Ferizaj (Sylejman Topalli- kryesues i grupit koordinues), inspektorati sanitar- Ferizaj (Enver Sopa), inspektorati sanitar- Hani i Elezit (Fatbardha Bushi), inspektorati sanitar- Kaçanik (Besnik Bajra), departamenti i arsimit-Ferizaj (Prenk Gashi), inspektorati i tregut- Ferizaj, OJQ “INPO” (Samir Reka), OJQ “Nisma për aktivizim” (Albion Sherifi), OJQ “ADAT” (Elhad Hajdini), Policia e Kosovës- rajoni i Ferizajt (një përfaqësues) dhe përfaqësues nga mediet lokale (TV Tema).
  • Të mbahen takime të rregullta- së paku një herë në muaj të grupit koordinues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit në rajonin e Prizrenit.
  • Të gjitha palët e përfshira në grup të raportojnë së paku një herë në muaj pranë grupit koordinues për punën e tyre dhe hapat që do të ndërmarrin për përmirësimin e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit.
  • Të identifikohen të ashtuquajturat “pika të nxehta”- vendet ku ka shkelje më të shpeshta të ligjit dhe të njëjtat të jenë subjekt i vizitave sistematike dhe i ndëshkimeve të parapara me ligj në rast se gjenden shkelje.
  • Të organizohen vizita inspektuese të përbashkëta të inspektoratit komunal sanitar dhe policisë së Kosovës- rajoni i Ferizajt me prioritet në mjediset ku shkeljet e ligjit janë më të shpeshta.
  • Të organizohen vizita inspektuese sipas mekanizmit rotativ ndërmjet inspektorateve të komunave që bëjnë pjesë në rajonin e Ferizajt.
  • Të rritet bashkëpunim mes inspektoratit sanitar dhe lokaleve gastronomike me qëllim të informimit të tyre rreth kushteve të hapësirave shtesë (të hapura) ku mund të lejohet pirja e duhanit dhe eliminimi i atyre të ndërtuara në kundërshtim me ligjin.Të rritet niveli i bashkëpunimit ndërmjet inspektoratit sanitar qendror dhe komunal për koordinim dhe raportim për zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit.
  • Të përpilohet një qarkore informative për rregullat e ndalimit të pirjes së duhanit në institucionet arsimore dhe t’u dërgohet drejtorëve të të gjitha shkollave në rajonin e Ferizajt.
  • Të rritet angazhimi i inspektoratit komunal të arsimit për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit në institucionet e arsimit.

Author:

Share This Post On