Fuqizohet mobilizimi institucional për forcimin e zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit
Më 24.02.2015
Përkrahja e iniciativës për forcimin e zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit nga Ministri i Shëndetësisë Z. Imet Rrahmani
Për të forcuar zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, KADC mbajti një takim me ministrin e shëndetësisë Z. Imet Rrahmani ku morën pjesë Z. Arben Lila menaxher projekti nga KADC, dhe Z. Faik Hoti koordinatorë kombëtar i këshillit ndërministror të duhanit.
Gjatë kësaj mbledhje u theksua edhe një herë rëndësia e zbatimit të këtij ligji, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të Kosovës, e sidomos gjeneratave të ardhshme të saj. Sepse vetëm pasi të kemi një shëndet të mirë atëherë mund të bëjmë ndryshime të mirëfillta për organizimin e jetës sonë dhe forcimin e shtetit tonë por më e rëndësishmja do të mund ta shijojmë atë, si dhe ta jetojmë këtë ndryshim.
Ministri i Shëndetësisë Z. Rrahmani shprehi përkrahjen për forcimin e zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit duke e konsideruar këtë si një përgjegjësi e cila bie mbi të gjithë, jo vetëm mbi ministrinë e shëndetësisë por edhe tek të gjitha institucionet zbatuese të ligjeve, të organizatat jo-qeveritare si dhe edhe një pjesë e kësaj përgjegjësie bie edhe mbi vetë qytetarët. Bashkëpunimi i institucione zbatuese të ligjit, me anëtarët e koalicionit anti-duhan, është vitale për të forcuar një zbatim sa ma të mirëfilltë të tij.
Gjatë kësaj mbledhje u përgëzua edhe puna e inspektorëve dhe gjykatës themelore në Prizren, e cila ka shqiptuar 13 dënime me vlerave deri në 3000 euro, për të gjithë shkelësit e LKD-së, kurse mbeten në shqyrtim ende edhe 64 lëndë të tjera. Shembull konkret ky që tregon se bashkëpunimi i institucione si dhe vullneti i mirë i tyre mund të përmirësojë jetën tonë.
Rëndësia e këtij bashkëpunimi qëndron në atë se gjatë këtij viti po fillon mobilizimi I institucioneve që të forcohet zbatimit i LKD-së duke forcuar bashkëpunimin në mes të akterëve kryesorë që mundësojnë zbatimin e tij si KADC, OBSH, aktivizimin e mëtutjeshëm të këshillit ndërministrorë, si dhe bashkëpunimin e gjerë edhe me kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës.
E gjithë kjo për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, sepse kjo është parësorë jo vetëm tek ne por në çdo shtet të demokratik që punon për të mirën e qytetarëve dhe u shërben atyre.