Letër e hapur për Presidenten dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës

E nderuara Presidente znj. Vjosa Osmani-Sadriu,
I nderuar Kryeministër z. Albin Kurti,
Të respektuara Institucione të Republikës së Kosovës,

Sot, me 31 maj, në mbarë botën shënohet Dita Botërore Pa Duhan. Rreth 70 vite më herët janë publikuar studimet e para shkencore që provuan përfundimisht se cigaret shkaktojnë kancer vdekjeprurës të mushkërive. Kur ato studime u shfaqën për herë të parë në vitet 1950, një botë pa produkte të duhanit ishte e pa imagjinueshme. Që nga atëherë, shumë vende të përparuara kanë zhvilluar politika të kontrollit të duhanit të tilla si sigurimi i mjediseve pa tym duhani, rritja e taksave të produkteve të duhanit, kufizimi i reklamimit dhe promovimit. Nëpërmjet implementimit të suksesshëm të këtyre politikave kanë arritur të shënojnë ulje të përdorimit të duhanit dhe parandalimin e sëmundjeve që shkaktohen nga konsumimi i duhanit.

Edhe Kosova, në maj të vitit 2013 miratoi Ligjin për Kontrollin e Duhanit me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore të konsumimit të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit.
Shkalla e lartë e zbatimit të këtij ligji në vitin e parë të hyrjes në fuqi ishte indikator i qartë se sundimi i ligjit në Kosovë është i mundshëm. Gjatë asaj kohe ne kemi pritur delegacione të ndryshme nga shtetet fqinje për të mësuar nga përvoja jonë dhe kemi marrë lëvdata në tryezat ndërkombëtare dhe raportet e progresit për miratimin e një ligji të avancuar dhe gjithëpërfshirës, si dhe për zbatimin e tij.

Fatkeqësisht, niveli i zbatimit të LKD ka shënuar rënie vit pas viti dhe shkelja e ligjit sot është shëndërruar në një dukuri të zakonshme. Bazuar në rezultatet e hulumtimit të realizuar nga Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim – KADC në shkurt të vitit 2020, 81,4% e qytetarëve i ekspozohen rregullisht tymit të duhanit në bare, kafene dhe resorante dhe 27% e tyr në vendet e punës. Përveç shkeljeve në sektorin e gastronomisë, shqetësues është niveli i lartë shkeljeve të ligjit nga vetë institucionet publike të cilat janë përgjegjëse që të zbatojnë ligjin duke përfshirë këtu shkeljet në kuvend, ministri, komuna, gjykata, polici dhe institucione tjera.

Në Kosovë, produktet e duhanit konsumohen gjerësisht dhe haptazi në hapësira të mbyllura, vende publike dhe vende tjera ku është e ndaluar me ligj sikur të ishin produkte normale të konsumit. Por, NUK JANË. Produktet e duhanit janë produktet më vdekjeprurëse të konsumit në historinë e njerëzimit. Ato vazhdojnë të shkaktojnë varësi tek të rinjtë dhe vdekje të parakohshme të njerëzve.

Mjediset pa tym duhani nuk janë vetëm çështje shëndetësore por janë edhe çështje e drejtësisë, barazisë dhe të drejtave të njeriut. Mos-sigurimi i mjediseve pa tym duhani për njerëzit dhe për punëtorët që obligohen të punojnë në mjedise të tilla kërcënuese për shëndetin është shkelje e të drejtave themelore të njeriut.

Sot, mjekësia jonë sikur në secilin vend në botë ka mundësi të kufizuara të shërojë sëmundjet vdekjepruese të shkaktuara nga duhani, por vendi i jonë sikur secili vend në botë ka mundësi të parandalojë këto sëmundje të shkaktuara nga duhani.

Pandemia COVID-19 ka treguar se qeveria ka kapacitete për t’iu përgjigjur kërcënimeve të mëdha për shëndetin global. Mësimet e nxjerra nga veprimet e guximshme të ndërmarra për të adresuar pandeminë COVID-19 ofrojnë dëshmi se veprimet po aq të guximshme për të trajtuar edhe pandemitë e tjera globale shëndetësore janë një mundësi për të arritur sukses. Po ashtu, sëmundjet dhe vdekjet e vazhdueshme të shkaktuara nga pandemia e duhanit kërkojnë veprime të ngjashme vendimtare.

Nëpërmjet kësaj letre, Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim – KADC dëshiron të sjellë në vëmendjen tuaj nevojën për veprim institucional për zbatimin e politikave të kontrollit të duhanit me qëllim të sigurimit të një mjedisi të shëndetshëm jetese për ne dhe për brezat e ardhshëm.

Ne besojmë se një gjë e tillë është e mundur dhe se DENORMALIZIMI i dukurisë së duhanpirjes duhet të jetë prioritet i Qeverisë dhe institucioneve tjera pasi që vetëm në këtë mënyrë mund të mbrojmë shëndetin e qytetarëve dhe të parandalojmë që fëmijët tanë të bëhen duhanpirës. Qeveria dhe institucionet shtetërore duhet të angazhohen të punojnë në drejtim të përfundimit të pandemisë së duhanit. Prioritet i qeverisë duhet të jetë mbrojtja e shëndetit, barazisë dhe mirëqenies së njerëzve.

Duke pasur besimin e plotë në zotimin tuaj për sundim të ligjit dhe për mbrojtjen e interesit të përgjitshëm para atij individual shpresojmë që thirrja e jonë për ruajtjen shëndetit publik do të gjejë përkrahjen e duhur dhe do të sjellë rezultate konkrete, dhe do të shënojë një kthesë pozitive në qasjen e lidershipit më të gjerë të vendit.

Me respekt,
Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim – KADC

Author:

Share This Post On