Gjykatat si një model për ndalimin e pirjes së duhanit
Nënshkruhet memorandumi i mirëkuptimit mes Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Qendrës Kosovare për Zhvillim dhe Avokim (KADC)
Prishtinë, 05.08.2013
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Enver Peci dhe drejtori i Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim z. Shkumbin Spahija nënshkruan sot memorandumin e mirëkuptimit për realizimin e projektit: “Gjykatat si një model për ndalimin e pirjes së duhanit”.
Qëllimi i memorandumit është që përmes monitorimit të gjykatave nga KADC në zbatimin e Ligjit për kontrollin e duhanit (Ligji Nr.04/l-156) i cili ka hyrë në fuqi me 22 maj 2013 të ofrohet një shembull i respektimit të ligjit nga vetë zyrtarët që janë të thirrur ta zbatojnë atë në hapësirat ku punojnë dhe gjithashtu të monitorohen procedurat e kundërvajtjes të iniciuara nga organet mbikëqyrëse të parapara me ligj.
Kryesuesi Peci siguroi drejtorin e KADC-së për vendosmërinë dhe dedikimin e tij në zbatimin e Ligjit për kontrollin e duhanit në të gjitha gjykatat e Kosovës dhe ofroi bashkëpunim të plotë dhe aktiv gjatë tërë kohës së realizmit të projektit. Me Ligjin e ri për kontrollin e duhanit ndalohet pirja e duhanit në të gjitha institucionet publike, përfshirë këtu edhe gjyqësorin.
Ndërkaq z. Shkumbin Spahija e njoftoi Kryesuesin e KGJK-së me aktivitetet e KADC-së që nga hartimi i Ligjit deri në miratimin dhe zbatimin e tij. Ai theksoi rëndësinë e respektimit të Ligjit nga vetë zyrtarët e thirrur ta zbatojnë dhe dëmtimin e pariparueshëm të imazhit të gjyqësorit në rast të moszbatimit të tij. Për shkak të natyrës së punës në baza ditore me palë, qytetarët do të jenë të parët ata të cilët do të ndeshen me këtë dukuri. Zbatimi i deritashëm i Ligjit nëpër vende publike ka lëkundur skeptikët, ka filluar të ndryshoj imazhin e vendit dhe ka kthyer besimin në zhvillimin e një shoqërie që respekton ligjin.
Rezultatet e projektit do të publikohen pas gjashtë muajve aq sa do të zgjasë monitorimi i gjykatave.