KADC takohet me Kryesuesin e KGJK-së Zt. Enver Peci
E mërkurë, 22 Tetor 2014
Në kuadër të aktiviteteve avokuese KADC zhvilloi një takim me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Zt. Enver Peci.
Qëllimi i këtij takimi ishte që të gjenden mënyra për rritjen e efikasitetit të gjykatave në procedimin e lëndëve që kanë të bëjnë me shkeljet e “Ligjit për kontrollin e duhanit” si dhe përmirësimin e komunikimit në mes të gjykatave dhe autoriteteve zbatuese të ligjit në trajtimin e lëndëve të lartpërmendura.
Në këtë takim u tha se procedimi efektiv i lëndëve nga ana e gjykatave është i domosdoshëm që të parandalohet përhapja e dukurisë së shkeljes së ligjit për kontrollin e duhanit dhe që të përcillet mesazhi i qartë se ata persona që shkelin ligjin sanksionohen dhe ndëshkohen, posaçërisht në sezonin dimëror kur tendenca e shkeljeve në hapësirat e mbyllur është dukshëm më e lartë.
Drejtori i KADC Zt. Spahija njoftoi Zt. Peci për aktivitetet e planifikuara të KADC-së siç është monitorimi i lëndëve që kanë të bëjnë me shkeljen e ligjit për kontrollin e duhanit dhe kërkoi bashkëpunimin e Këshillit Gjyqësor në këtë drejtim si dhe në ngritjen e kapaciteteve të inspektorateve përgjegjës për përpilimin e drejtë dhe profesional të lëndëve që dërgohen në gjykata. Gjithashtu KADC shprehu shqetësimin për shkeljen e ligjit për kontrollin e duhanit nga ana e punonjësve në disa gjykata, e sidomos në Gjykatën Supreme dhe në zyrat e prokurorive.
Zt. Peci ofroi mbështetjen e tij për çështjet e lartpërmendura duke thënë se zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit është me interes të madh për publikun duke pasur parasysh se lidhet drejtpërdrejtë me mbrojtjen e shëndetit të popullatës.
Poashtu Zt. Peci njoftoi se Gjykata për Kundërvajtje në Prishtinë ka ndëshkuar me gjobë prej 500 euro dy subjekte respektivisht persona përgjegjës për hapësirën në të cilën u bë shkelja e “Ligjit për kontrollin e duhanit” gjegjësish për lejimin e tymosjes së duhanit në lokalet gastronomike për të cilin kanë qenë përgjegjës.
Të dyja palët u pajtuan që të organizojnë një punëtori për trajnimin e inspektorëve për përpilimin e lëndëve në përputhje me “Ligjin për kontrollin e duhanit” dhe “Ligjin për kundërvajtje”, dhe shfaqën gatishmërinë për bashkëpunim me qëllim të zbatimit sa më efikas të zbatimit të “Ligjit për kontrollin e duhanit”.