Cilësia e Ajrit në Kosovë – Euro Standardet

Cilësia e Ajrit në Kosovë-Euro Standardet (Shkarko Raportin)

Një nga problemet më të rënda shëndetësore publike sot është ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit. Rreth 1 në 10 nga vdekjet e përgjithshme në mbarë botën i atribuohen ndotjes së ajrit. Ndotja e ajrit është një çështje e rëndësishme mjedisore dhe sociale dhe një problem kompleks që paraqet sfida të shumta në drejtim të menaxhimit dhe zbutjes së ndotësve të dëmshëm.

Rritja e popullsisë urbane dhe rritja e vëllimit të trafikut të motorizuar në qytete ka rezultuar në ndotje të rëndë të ajrit që ndikon në mjedisin rrethues dhe shëndetin e njeriut. Në vendet në zhvillim, rritja e ndotjes urbane të ajrit ka rezultuar në më shumë se 2 milionë vdekje në vit (OBSH, 2014). Një nga burimet kryesore të ndotjes urbane të ajrit është transportit rrugor. Mbi 70-80% e ndotjes urbane të ajrit në qytetet e vendeve në zhvillim i atribuohet shkarkimit të emisioneve ne ajër nga një numër i madh i automjeteve të vjetra, mirëmbajtjes së dobët të automjeteve, infrastrukturës jo adekuate të rrugëve dhe cilësisë së ulët të karburanteve.

Me fillimin e sezonit dimëror, fillon alarmimi i shoqërisë kosovare për rrezikun shëndetësor që na kanoset nga ndotja e ajrit. Kjo përsëritet për çdo vit me radhë. Sistemi prej 11 stacioneve të instaluar në qytetet me ndotje më të madhe të ajrit monitorojnë grimcat e pluhurit PM10, PM2.5, dioksidin e azotit NO2, dioksidin e sulfurit SO2, ozonin O3, dhe monoksidin e karbonit CO. “Alarmin” për ndotjen e ajrit zakonisht nuk e jep Agjencioni për mbrojtjen e mjedisit por një matës vizuel i vendosur në ambasadën amerikane i cili në kohë reale në portalet më të lexuara në Kosovë i publikon vlerat e ndotjes të PM10 dhe PM2.5.

Ngjajshëm si në qytetet e mëdha urbane të Evropës ku gazrat e liruara nga automjetet janë kontribuesit më të mëdhenjë të emisioneve të rrezikshme të dioksidit të azotit (39%), edhe në Prishtinë një ndër kontribuesit më të mëdhenjë supozohet të jetë ai i sektorit rrugor. Shumica e automjeteve që sot qarkullojnë përdorin naftën si lëndë djegëse dhe shumica janë më të vjetra se dhjetë vite.

Duke pasur parasysh natyrën gjithëpërfshirëse për të kontrolluar ndotjen e ajrit, është thelbësore që lufta për ajër më të mirë të konsiderohet si një veprim i bashkërenduar, ku, përveç autoriteteve përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit, të gjitha institucionet tjera që kanë kompetencë, përgjegjësi dhe fuqi për të praktikuar zbatimin e masave të nevojshme për të frenuar emetimet e ndotësve në burim duhet të jenë vazhdimisht të përfshira.

Prishtina duhet të mbështetet fuqimisht nga qeveria, nga ministritë për mjedisin dhe infrastrukturën, për të investuar në infrastrukturën e trafikut që promovon përdorimin e mënyrave të pastra të transportit (transport publik, çiklizëm dhe zona këmbësorësh).

Megjithatë, në të njëjtën kohë duhet të merren masa për të pastruar numrin e madh të automjeteve në përdorim, duke u fokusuar në transportin publik me autobusëve në radhë të parë. Autobusët duhet të vazhdojnë të modernizohen me autobusë të rinj Euro 6 ose autousët Euro 4/5 të pajisen me filtrin e grimcave të naftës.

Author:

Share This Post On