Tryeza në Prizren

Tryeza e rrumbullakët në Prizren

Ndryshimi kulturor që po e sjellë zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit në shoqërinë tonë” – Komuna e Prizrenit –

E Premte, 25 tetor 2013

Takimi i organizuar sot nga KADC në bashkëpunim me OJQ “Ec ma ndryshe”, zyrën e OBSH- Prishtinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për respektimin e Ligjit për kontrollin e duhanit dhe nxitjen e organeve përgjegjëse në kryerjen e detyrave ligjore për mbikëqyrjen efektive të zbatimit të këtij ligji.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, OBSH, KADC, OJQ “Ec ma ndryshe”, Policia e Kosovës- drejtoria e përgjithshme dhe përfaqësues nga rajoni i Prizrenit, inspektorati sanitar qendror, inspektorati sanitar komunal- Prizren, Rahovec, Suharekë, Malishevë dhe Dragash, shoqëria civile dhe qytetarë nga komuna e Prizrenit.

Nga diskutimet në këtë takim u konstatua se zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit në komunën e Prizrenit është relativisht i kënaqshëm. Ka shkelje të ligjit (tymosje të duhanit) që janë më të shpeshta në zonat periferike të komunës; nuk përjashtohen rastet e tymosjes së duhanit në institucionet publike duke përfshirë këtu edhe institucionet arsimore (shembull tipik- gjimnazi në Prizren).

Përfaqësues të qytetarëve dhe shoqërisë civile deklaruan se shkelje të vazhdueshme të ligjit (tymosje të duhanit) janë prezente në qendrat sportive gjatë ndeshjeve të basketbollit dhe ngjarjeve tjera sportive. Si shkelës të ligjit- vende ku tymoset duhani u përmenden edhe lokalet gastronomike: “Altini 2”- Prizren, “Ben Af”- Suharekë, “Shadërvani”- Prizren.

Disa nga lokalet gastronomike po propagojnë se do të ketë prapë ndryshim të ligjit sipas të cilit do të bëhet ndarja e lokaleve në hapësira ku ndalohet dhe ku lejohet pirja e duhanit në përpjesëtim 70/30 %; si dhe bazuar në përvojat personale të pjesëmarrësve, lejimi i pirjes së duhanit në lokalet që janë shkelës të ligjit mundësohet nga kamerierët nëpërmjet ofrimit të mjeteve alternative në vend të shpuzoreve.

Një dukuri shumë shqetësuese u përmend të jetë shitja e cigareve me copë jashtë paketimit origjinal në pikat shitëse afër shkollave duke shtruar nevojën urgjente për një angazhim më të madh të inspektoratit komunal të tregut për eliminimin e kësaj dukurie. Shitja e cigareve me copë u mundëson fëmijëve të kenë më të lehtë blerjen e cigareve dhe i nxitë ata që të konsumojnë produktet e duhanit.

Përfaqësues të inspektoratit sanitar rajonal thanë të jenë të kënaqur me nivelin e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit duke përmendur këtu se shkeljet më të shpeshta të hasura nga ta kanë ndodhur në periferi të komunave. Sipas këtij inspektorati që nga hyrja e në fuqi e ligjit për kontrollin e duhanit janë realizuar mbi 840 inspektime, janë përpiluar rreth 730 procesverbale dhe është shqiptuar një gjobë për kundërvajtje. Gjithashtu shtuan se pas përfundimit të zgjedhjeve lokale do të intensifikojnë inspektimet për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit.

Policia e Kosovës e përfaqësuar nga drejtoria e përgjithshme dhe ajo rajonale shprehu gatishmërinë të asistojë në vizitat monitoruese të inspektoratit sanitar në rajonin e Prizrenit sipas praktikës së aplikuar në Prishtinë, ku ekipe të përbashkëta të inspektoratit dhe policisë së Kosovës do të monitorojnë zbatimin e ligjit.

Rekomandimet e nxjerra nga takimi

  • Të formohet grupi koordinues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit në rajonin e Prizrenit i përbërë nga: inspektorati komunal sanitar (Durak Zyrapi-kryesues i grupit koordinues), PRAK (Besim Kodra), Këshilli i Veprimit Rinor- Prizren (Leotrim Gërmizaj), SHZAP (Fitim Myftari), Policia e Kosovës- rajoni i Prizrenit (një përfaqësues), inspektorati i arsimit (një përfaqësues), inspektorati i tregut (një përfaqësues) dhe përfaqësues nga mediet lokale.
  • Të identifikohen të ashtuquajturat “pika të nxehta”- vendet ku ka shkelje më të shpeshta të ligjit dhe të njëjtat të jenë subjekt i vizitave sistematike dhe i ndëshkimeve të parapara me ligj në rast se gjenden shkelje.
  • Të organizohen vizita inspektuese të përbashkëta të inspektoratit komunal sanitar dhe policisë së Kosovës- komuna e Prizrenit me prioritet në mjediset ku shkeljet e ligjit janë më të shpeshta.
  • Së paku një herë në muaj të kryhen inspektime të përbashkëta me inspektoratin sanitar qendror dhe përkrahjen e Policisë së Kosovës. Gjatë realizimit të inspektimeve t’u jepet prioritet vendeve të identifikuara si shkelës të ligjit.
  • Të rritet niveli i bashkëpunimit ndërmjet inspektoratit sanitar qendror dhe komunal për koordinim dhe raportim për zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit.
  • Të mbahen takime të rregullta- së paku një herë në muaj të grupit koordinues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit në rajonin e Prizrenit.
  • Të gjitha palët e përfshira në grup të raportojnë së paku një herë në muaj pranë grupit koordinues për punën e tyre dhe hapat që do të ndërmarrin për përmirësimin e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit.
  • Të ndërmerren menjëherë hapa nga inspektorati i tregut për të eliminuar shitjen e cigareve me copë jashtë paketimit origjinal, me prioritet në pikat e shitjes afër shkollave.
  • Të rritet angazhimi i inspektoratit komunal të arsimit për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit në institucionet e arsimit.

Author:

Share This Post On