Strategjitë dhe Taktikat e Ndikimit të Industrisë së Duhanit në Politikat e Shëndetit Publik në Kosovë

Prishtinë, 30 janar 2024

Raporti hulumtues ‘Strategjitë dhe Taktikat e Ndikimit të Industrisë së Duhanit në Politikat e Shëndetit Publik në Kosovë” synon të paraqesë strategjitë e industrisë së duhanit për të influencuar politikat e shëndetit publik në Kosovë, dhe të identifikojë aktorët kyç dhe metodat që përdoren nga kjo industri për të avancuar interesat e saj.

Nëpërmjet një analize të hollësishme, raporti shpërfaq mënyrat në të cilat industria e duhanit përpiqet të ndikojë në politikat publike dhe të rrisë përfitimet e veta ekonomike përkundër përpjekjeve të institucioneve dhe shoqërisë për të reduktuar përdorimin e duhanit për të mbrojtur shëndetin e publikut.

Në përputhje me angazhimet ndërkombëtare dhe për të përballuar sfidat specifike që paraqet industria e duhanit, Kosova në vitin 2013 ka adoptuar Ligjin për Kontrollin e Duhanit, i bazuar në parimet dhe standardet e vendosura nga OBSh. Ky ligj, përveç tjerash, synon të kufizojë ndërveprimet e qeverisë me industrinë e duhanit dhe të sigurojë transparencën në rregullimin efektiv të kësaj industrie.

Edhe pse ligji për kontrollin e duhanit është miratuar që në vitin 2013, përpjekjet e vazhdueshme të industrisë për ta dobësuar zbatimin sjellin sfida të konsiderueshme për shëndetin publik.

Në vendin tonë industria e duhanit që nga paslufta ka përdorur dhe vazhdon të përdorë taktika të ndryshme të ndërhyrjes në politikat e shëndetit publik, përfshirë lobimin tek institucionet qeveritare, ndikimin në politikat e taksave mbi duhanin dhe kundërshtimin e rregullimit të paketimeve të produkteve të duhanit.

Shkarko raportin këtu

Industria e duhanit shfrytëzon odat ekonomike, si Oden Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Oden Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK), për të ndikuar në politikat publike, për të dobësuar dhe për të penguar zbatimin e politikave të kontrollit të duhanit që mbrojnë shëndetin e qytetarëve. Këto politika shëndetësore bien ndesh me interesat e industrisë së duhanit që synojnë të ruajnë dhe rrisin numrin e duhanpirësve dhe përfitimet ekonomike vetjake të saj.

Nëpërmjet odave ekonomike, industria e duhanit ka kërkuar ndryshime, ka kritikuar aspekte specifike dhe ka kërkuar vonim të zbatimit të politikave të kontrollit të duhanit. Nëpërmjet takimeve dhe letrave të dërguara Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrive e institucioneve tjera, këto oda janë përpjekur të ndikojnë në përmbajtjen dhe të zgjasin afatet kohore për implementim të udhëzimit administrativ për vërejtjet e kombinuara.  

Edhe pse Udhëzimi Administrativ për Vërejtjet e Kombinuara është dashur të aprovohej që në vitin 2016, ky proces mori kohë deri në shtator të vitit 2023, kur edhe u miratua nga Ministria e Shëndetësisë. Përkundër kësaj, industria e duhanit ka vazhduar t’i kundërvihet zbatimit të këtij Udhëzimi, duke pretenduar se procesi i prodhimit është shumë i komplikuar për të përmbushur afatet e përcaktuara. Ka vazhduar të përdor argumentet e vjetra të njohura të industrisë së duhanit  për rritjen potenciale të tregtisë së paligjshme, për ndikimin në ekonominë e vendit dhe paradoksalisht edhe për gjëja brengosjen e tyre për efektet negative që mund të ketë në shëndetin e konsumatorëve.

Industria e duhanit ka tentuar të ndërhyjë edhe në dispozitat kyçe të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, sikur që është rasti kundërshtimit të nenit që ndalon shfaqjen e produkteve të duhanit në pikat e shitjes dhe  rasti i ndikimit tek qeveritë e kaluara për të ndryshuar politikat e tatimeve mbi duhanin, në favor të bizneseve specifike brenda sektorit të duhanit.

Si rezultat i këtij ndikimi Qeveria e Republikës së Kosovës në vitin 2018, kishte ulur tatimin e akcizës për produktet e duhanit dhe ndryshuar disa politika bujqësore duke favorizuar prodhimin vendas të duhanit. Këto vendime ishin anuluar nga Qeveritë e mëvonshme, në vitin 2020.

Një aspekt  tjetër i strategjisë së industrisë për të shpërfaqur një imazh të favorshëm në sytë e publikut është sponsorizimi i ngjarjeve dhe çmimeve për gazetarë, si çmimi “Vangjush Gambeta”. Përmes mbështetjes së shoqatave të gazetarëve dhe mediave, industria e duhanit tenton të portretizojë veten si një kontribuues në përmirësimin e lirisë së shtypit dhe zhvillimin e gazetarisë profesionale si dhe të krijoj një perceptim pozitiv nga publiku e rrjedhimisht ulë ndërgjegjësimin për rreziqet që lidhen me produktet që industria prodhon dhe shet.

Ndërveprimi i qeverisë me industrinë e duhanit, si dhe me aktorë të tjerë që mbrojnë interesat e kësaj industrie, në procesin e vendimmarrjes politike, mund të rezultojë në mbështetje dhe legjitimim të politikave pro-duhanit nga këto entitete. Kjo situatë sjell një zhvillim gradual që mund të normalizojë duhanin si një produkt të përditshëm.

Ndërveprimet mes qeverisë dhe industrisë së duhanit kanë potencialin të influencojnë mendimin publik dhe të nxisin një atmosferë ku konsumi i duhanit është i toleruar dhe miratuar nga institucionet shtetërore. Pasojat e tilla mund të jenë të rënda për shëndetin e publikut dhe për trajtimin e çështjes së duhanit si një problem social dhe shëndetësor i rëndësishëm.

Për të zvogëluar ndikimin e industrisë së duhanit dhe për të krijuar një mjedis më të shëndetshëm për qytetarët hulumtimi jep një sërë rekomandimesh. Disa nga rekomandimet përfshijnë zbatimin e politikave të mosbashkëpunimit me industrinë e duhanit, rritjen e transparencës nga dhomat ekonomike, forcimin e mekanizmave të monitorimit, rritjen e burimeve për edukimin e publikut dhe mbështetjen e grupeve të interesit.

Author:

Share This Post On