Teksa eksploron natyrën nuk mund të ecësh pa e parë vëmendshëm shumëllojshmërinë e luleve. Të vogla, të mëdha, të bardha, bojëqielli, të verdha, ngjyrë vjollce e çfare jo. Gërshetimi i tyre me pelerinën gjelbëruese gjithandej, e herë-herë të rrethuara me ndonjë hapësirë prej dëbore, të ofron një pamje madhështore
Arbesa Ibrahimi
Ora është 8:00 e mëngjesit. Jemi në gjysmën e dytë të qershorit. Temperaturat kanë kaluar 30- gradëshin e Celciusit. E shtunë. Ditë pushimi. Secili tenton të ikë sakaq nga zhurma e qytetit, monotonia e veturave, pluhurit e ajrit të ndotur. Dikush zgjedh të zhytet në dallgët e detit, t’iu dalë përballë rrezeve të Diellit, e dikush shikon mundësinë e parë për ta gjetur një copëz gjelbërim, pak ajër të freskët dhe një varg malesh larg punës e obligimeve të përditshme. Kjo për dashamirët e maleve mbetet zgjidhja ideale. Bashkë me një grup kolegësh kemi marrë rrugën për në njërën prej mrekullive më të pasura natyrore të Kosovës. Për në Bjeshkët e Nemuna. Destinacioni ynë këtë herë është Bjeshka e Prilepit. Maja e Marijashit.
Marijashi ka 2533 metra lartësi mbidetare dhe gjendet në kufi me Malin e Zi. Itinerari për në majat e Bjeshkëve të Nemuna sigurisht që nuk është nga më të lehtit, por panorama mahnitëse që ta ofrojnë pisha e bardhë, bredhi, hormoqi, ahu, mështekna, shelgu e shumë lloje të tjera drurore, e bëjnë rrugëtimin të palodhshëm. Një avanturë të vërtetë.
Parku Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, i cili gjithsej kap 62.488 hektarë, është i pasur edhe me drerë, shqiponja të arta, dhia të egra e ujq gri. Në brendësinë e këtij parku mund të hasen edhe lloje më të rralla të kafshëve siç janë rrëqebujt dhe arinjtë e kaftenjtë. Rreth prezencës së faunës në këto male mund të mësoni edhe nga një fotografi informuese, e cila është sistemuar skaj rrugës që të çon drejt maleve të Deçanit. Në të janë shpërfaqur imazhet e disa kafshëve e shpendëve, shtëpia e të cilëve është në bjeshkët e magjishme, në Bjeshkët e Nemuna. Në të majtë të këtyre imazheve tashmë ka zënë vend edhe Tabela Interaktive Digjitale, nga e cila vetëm me një prekje gishti mund të informoheni mirë e mirë rreth këtyre bjeshkëve.
Tri stinë brenda një dite
Peizazhi i Bjeshkëve të Prilepit dhe i gjithë Bjeshkëve të Nemuna bëhet edhe më i hijshëm kur në të brenda një dite të vetme gërshetohen tri stinët e vitit: pranvera, vera e dimri. Nga njëra anë sheh dyzina lulesh prej më të ndryshmeve, nga ana tjetër has borën e trashë disa centimetra, e cila për shtatë pale qejfe qëndron e shtrirë në tokën e Bjeshkëve të Nemuna, ndonëse jemi gati në përfundimin e muajit të qershive. Ngjitesh më tej, fryen freski pranverore. Ndalesh për pak pushim dhe Dielli i verës të detyron t’i mbyllësh sytë. Ta rrudhosësh pjesën e sipërme të ballit. Dhe të kërkosh ca ujë për të pirë. E nëse nisesh për në Bjeshkën e Prilepit nuk të nevojitet fare ta ngarkosh trastën me ujë dhe ta mbash atë në shpinë për orë të tëra. Ujë mund të gjesh me bollëk në gurrat e shumta që gjenden brenda hapësirës së bjeshkëve. Aq i kristaltë e i ftohtë është uji, saqë mjafton të numërosh tre-katër sekonda dhe instiktivisht të vjen ta largosh dorën nga burimet.
Mikëpritja e dreka tradicionale
Pas disa orë ngjitjeje mbërrijmë tek stanet (1890 mld) . Stanet, siç tregojnë banorët, nisën të ndërtoheshin rreth të 2000-ës pasi gjatë luftës së fundit ishin shkatërruar thuajse në tërësi. Me precizitet e delikatesë ato u rindërtuan nga banorët e rrethinës. Me drunj, në mënyrë mjeshtërore. Sistemin e ujit shumica e këtyre staneve e kanë të lidhur nga bjeshkët. Nga burimet e shumënumërta.
“Një i afërm imi nga Zvicra kur ishte këtu për pushime e ndalte vazhdimisht ujin që të mos na vinte fatura e lartë, nuk e dinte që ujin e marrim nga bjeshkët”, tregon teksa qesh nën vete Besniku, pronar i shtëpizës ku u ndalëm për pak pushim.
Edhe për sistemin e ndriqimit aktualisht nuk ka shpenzime. Llambat, tek disa prej bujtinave, rrinë ndezur edhe ditën, pasi që ato funksionojnë me energji solare. Mbi të gjitha, ajo çka të lë përshtypje në krejt këtë mes mbetet mikëpritja e nikoqirëve. Është e jashtëzakonshme…
U ulëm për t’u ç’lodhur. Pimë nga një kafe të zier në xhezve, bëmë ca pushim dhe u nisëm sërish lart bjeshkëve. Hapësira që të rrethonte të jepte një ndjesi të jashtëzakonshme.
Pasi u kthyem pasdite vonë sërish tek stanet, aty ku kishim pirë kafenë, veçse kishte ardhur koha e drekës. Ora shënonte rreth 17:00 dhe të gjithë mendjen e kishim te ushqimi tradicional, i cili tashmë ishte porositur aty afër nga një pjesë e grupit. Nën cicërimat e zogjve e nën përzierjen e rrymave të ajrit, hëngrëm mjaftueshëm pite me gjizë lope e me ajkë, leqenik tradicional të bërë nga misri, djath fshati, turshi e kos. Kush kërkonte më mirë?! Teksa kafshata-kafshatën s’e priste nuk mund ta shmangje së dëgjuari frazën e përsëritur disa herë nga të pranishmit: “ç’pite të shijshme”! – “Ç’turshi të freskëta! Janë vetëm me ujë e kripë apo kanë edhe përbërës të tjerë?”, pasonte parreshtur pyetja karshi nikoqirëve. “Merr pak edhe nga leqeniku”, dëgjoje tek të thoshte dikush afër tamam ishe gati ta bindje veten që të ngopeshe.
Lulet mjekësore në Bjeshkët e Deçanit
Teksa eksploron natyrën nuk mund të ecësh pa e parë vëmendshëm shumëllojshmërinë e luleve. Të vogla, të mëdha, të bardha, bojëqielli, të verdha, ngjyrë vjollce e çfare jo. Gërshetimi i tyre me pelerinën gjelbëruese gjithandej, e herë-herë të rrethuara me ndonjë hapësirë prej dëbore, të ofron një pamje madhështore.
Anekënd bjeshkëve ka lule të mbira në kodrina, në fusha e në maje. Ka edhe disa sosh që kanë qarë kokën përpara dhe kanë zënë vend mu në mesin e gurëve. Ky lloj i lules sipas Isuf Hulajt, banor i fshatit Prilep, ka veti shëruese, ndaj kërkohet me të madhe nga mjekët e rajonit.
“Fill pas borës del një lule, është bimë shëruese. Ka pasur shumë mjekë prej Shqipërisë që kanë ardhur. Është një karidiolog që punon në Tiranë, unë personalisht kam pasur kontakt me të, ka ardhur në bjeshkët tona e ka fotografuar atë lule, pastaj ka ardhur e ka paguar 150 dollarë kilogramin”, tregon Hulaj.
Kjo nuk është e vetmja lule mjekësore sipas banorëve të rrethinës. Me të tilla Bjeshkët e Nemuna, apo siç quhen shpesh Alpet Shqiptare, janë të mbushura përplot.
Ndërkohë teksa përshëndetemi me bjeshkët dhe nën rigat e shiut lëshohemi rrugës teposhtë ndeshemi me një mori luleshtrydhesh. Të vogla në dukje, por që thellë në kujtesë të lënë një shije unike. Rrugës nuk mund të kalosh pa i parë edhe boronicat e mjedrat. Por ato janë vonuar të piqen pasi këtë vit u vonua të vijë sikurse pranvera, ashtu edhe stina e verës.
Komuna e Deçanit përpos bjeshkëve ka edhe një tjetër bukuri natyrore. Burimi i ujit mineral në këtë komunë, ia shton hijeshinë Deçanit. Banorët e atyshëm thonë se uji përdoret si për pije, ashtu edhe për shërim.
Të shkosh në këtë qytet për vizitë patjetër do ta vizitosh edhe Manastirin e Deçanit, i cili është ndërtuar në shekullin XIV dhe është edhe pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura të UNESCO-s.
Kullat, pasuri e trashëgimisë kulturore në Deçan
Secili vend, secili qytet ka veti dalluese nga të tjerët. Kullat shtatlarta, të ndërtuara nga guri, vazhdojnë të mbeten shenjë identifikuese për Deçanin. Në fshatin Drenoc të kësaj komune ka familje që banojnë edhe sot në këso lloj kullash. Ka edhe të atilla që funksionojnë vetëm për turistë. Për mysafirë. Të tilla janë Kullat e Mazrekajve. Hapësirat e brendshme të tyre kanë dhomat e pritjes, odat, të cilat janë të mbushura me tipare kulturore. Brenda këtyre mureve sytë mund të hasin tryeza të rrumbullakëta të bëra nga druri, që janë përdorur shumë vite më parë thuajse nga secila familje shqiptare; vegshë të cilët përdoreshin për zierjen e fasules dhe gjellave të tjera; furka për tjerrjen e leshit të deleve, i cili përdorej për thurrjen e veshmbathjeve e djepë që përdoreshin për t’i vënë fëmijët në gjumë. Brenda kullave gjenden edhe dhomat e fjetjes për turistët, të cilat kryesisht janë të shtruara nga qilimet. Teksa mysafirëve në këto kulla u servohet ushqim tradicional, nikoqirët presin e përcjellin vizitorë të shumë si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë vendit.
Ruajtja e antikes në Gjakovë
Rrafshi i Dukagjinit është përplot me pasuri, si natyrore ashtu edhe historiko-kulturore. Pas një ngjitje sfiduese drejt maleve vizitën ditën pasuese mund ta vazhdoni në qytetin e Gjakovës. Brenda qytetit gjendet Mëhalla e Hadumit, ku edhe ndodhet Xhamija e Hadumit, pas së cilës thuhet se filloi të ndërtohej edhe qyteti. Kjo xhami u ndërtua në vitin 1595. Posa të hysh në oborrin e saj sheh varreza të shumta antike e një mori gurë varresh të mbështetura për muret rrethuese. Kjo xhami, në të cilën kryejnë ritet fetare shumë qytetarë të Gjakovës, u punua me gurë para shumë shekujsh. Në Gjakovë mund ta vizitoni edhe Urën e Tabakëve, e cila e ndërtuar në shekullin XVII, paraqet një monument tjetër të trashëgimisë kulturore.
Shëtitjen brenda qytetit mund ta vazhdoni në Qarshinë e Madhe apo të njohur si Qarshia e Vjetër. Ndjesia që ta jep kjo pjesë është e ngrohtë dhe e këndshme. Atmosfera që krijohet mbrëmjeve, gjallëria, dritat e vendosura sipër rrugës së shtruar me kalldrëm, që ndan dy radhët e kafenenve, i japin një pamje të shkëlqyer qytetit. Qarshia vite më parë ishte motorr i zhvillimit ekonomik në qytetin e Gjakovës, banorë të së cilit merreshin me artizanate e tregëti. Gjithsesi qytetit i shtohet hijesha edhe nga ngjyrat e Qarshisë së Jupave. Tutje mund të shkoni te Kompleksi Hani i Haraqisë, i cili ndodhet në afërsi të Xhamisë së Hadumit. Ajo çka bie në sy në Han është servimi i bakllavasë me kumbull dhe arra përbrenda.
Për ta përmbyllur vizitën në Gjakovë mund ta zgjedhni Shkugëzën. Të kaloni natën në një prej hoteleve andej pari dhe në mëngjesin e hershëm të zgjoheni ta bëni një shëtitje të shkurtër kah pylli dhe padyshim ta shijoni një kafe nën mburojën e drunjëve, ajrit të pastër e nën melodinë e shkëlqyer të krijuar nga cicërimat e zogjve.
(Ky artikull është shkruar në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Avokim dhe Zhvillim – KADC, në kuadër të bashkëpunimit rajonal mes Kosovës dhe Malit të Zi)