NO2 – Një kërcënim serioz për shëndetin e njeriut

Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) ka publikuar rezultatet e ndotjes së ajrit me Dioksid të Azotit (NO2) nga trafiku rrugor në komunën e Prishtinës. Gjatë një periudhe shtatë mujore, nga janari deri në korrik të vitit 2023, në 15 lokacione të ndryshme me trafikun më të dendur në Prishtinë janë matur emetimet e NO2 me mostra pasive dhe rezultatet janë krahasuar me matjet zyrtare të Institutit Hidrometeorologjik.

Ndotja e ajrit është rreziku më i madh mjedisor për shëndetin dhe shkaktari kryesor i efekteve të dëmshme shëndetësore që përkeqëson sëmundjet e frymëmarrjes dhe kardiovaskulare. Ekspozimi ndaj përqendrimeve të grimcave të imta mbi nivelin e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për vitin 2021 ka rezultuar me 238.000 vdekje të parakohshme në Bashkimin Evropian. Ndërkaq në Kosovë ka rezultuar me 3.100 vdekje të parakohshme apo 30.400 vite jete të humbura.

Shkarkimi i dëmshëm i dioksidit të azotit NO2 nga automjetet me naftë në trafikun rrugor është një kërcënim i madh në zonat urbane. Rezultatet nga e gjithë Evropa tregojnë se ndotja që vjen nga dioksidi i azotit është më e lartë se sa që të dhënat zyrtare tregojnë. Kemi shumë pak stacione zyrtare të monitorimit që evidentojnë gjendjen reale në rrugët e qytetit, mirëpo dhe ato që tashmë ekzistojnë shpesh nuk ndodhen në vendet më të ndotura. KADC ka bërë matjen në lokacione të ndryshme me trafikun më të dendur dhe ka krahasuar ato me matjet zyrtare për të nxjerrë përfundimet mbi ndotjen reale nga NO2.

Author:

Share This Post On