Tryeza në Gjilan

“Ndryshimi kulturor që po e sjellë zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit në shoqërinë tonë” – Komuna e Gjilanit –

E Enjte, 12 Dhjetor 2013

Takimi i organizuar sot nga KADC në bashkëpunim me OJQ “KCIC”, zyrën e OBSH- Prishtinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për respektimin e Ligjit për kontrollin e duhanit dhe nxitjen e organeve përgjegjëse në kryerjen e detyrave ligjore për mbikëqyrjen efektive të zbatimit të këtij ligji.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, OBSH, KADC, OJQ “KCIC”, Policia e Kosovës- drejtoria e përgjithshme dhe përfaqësues nga rajoni i Gjilanit, inspektorati sanitar komunal- Gjilan, Kamenicë dhe Viti, inspektorati i arsimit, IKSHP- dega në Gjilan, përfaqësues të shoqërisë civile dhe media nga komuna e Gjilanit.

Nga diskutimet në këtë takim u konstatua se zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit në komunën e Gjilanit është relativisht i ulët. Ka shkelje të ligjit (tymosje të duhanit) në lokalet gastronomike; nuk përjashtohen rastet e tymosjes së duhanit në institucionet publike.

Përfaqësues të qytetarëve dhe shoqërisë civile deklaruan se ka shkelje të vazhdueshme të ligjit (tymosje të duhanit) në hapësirat e mbyllura, shkelje të cilat shpeshtohen pas orës 16. Ata kërkuan një qasje gjithëpërfshirëse të inspektoratit në zbatimin e ligjit duke ndëshkuar subjektet shkelëse të ligjit, pasi që toleranca ndaj atyre jep mesazh të gabueshëm dhe dëmton subjektet afariste që e respektojnë ligjin.

Me ftohjen e motit, subjektet gastronomike në Gjilan kanë filluar ndërtimin e hapësirave shtesë në të cilat lejohet pirja e duhanit. Sipas pjesëmarrësve, këto hapësira nuk i përmbushin kriteret e parapara me ligj për hapësira të hapura, dhe aty duhet ndaluar pirja e duhanit apo të modifikohen në përputhje me ligjin. Gjithashtu u theksua se disa pronarë të lokaleve gastronomike janë ankuar për mungesë informacioni që sqaron kriteret që duhet të plotësojnë hapësirat shtesë dedikuar duhan-pirësve.

Përfaqësues të inspektoratit sanitar në komunën e Gjilanit thanë se janë të angazhuar për zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit duke përmendur këtu edhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen siç është mungesa e stafit (2 inspektor sanitarë për komunën e Gjilanit) dhe periudha e fushatës zgjedhore. Sipas këtij inspektorati që nga hyrja e në fuqi e ligjit për kontrollin e duhanit janë inspektuar shumica e objekteve gastronomike. Me fillimin e sezonit dimëror është shtuar dukshëm edhe numri i shkeljeve të ligjit (ndalimit të tymosjes në vende publike). Gjithashtu pranuan se vetëm pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune kanë intensifikuar inspektimet dhe kanë ngritur 6 fletëparaqitje ndaj subjekteve për shkelje të ligjit.

Policia e Kosovës e përfaqësuar nga drejtoria e përgjithshme dhe ajo rajonale shprehu gatishmërinë të asistojë inspektoratin në zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit dhe se është e përkushtuar që ta zbatoj ligjin me përpikëri.

Rekomandimet e nxjerra nga takimi

  • Të formohet grupi koordinues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit në rajonin e Gjilanit i përbërë nga: inspektorati sanitar- Gjilan (Muhamet Kastrati), inspektorati sanitar- Kamenicë (Ferid Beqiraj), inspektorati sanitar- Viti (Sadik Rexhepi), sektori i arsimit- Gjilan (Rahim Bajrami), inspektorati i tregut- Gjilan (Salih K.), OJQ “Lansdovne” (Shaban Terziu), OJQ “KCIC” (Sadulla Ahmeti), OJQ “Merita” (Afërdita Këqiku- kryesuese e grupit koordinues), IKSHP- dega në Gjilan (Ajhane Sefiu), Policia e Kosovës- rajoni i Gjilanit (një përfaqësues), TV Vali (Vasilika Bunaj), portali 2L ONLINE (Muhamet Halili), gazeta “Zëri” (Enver Sadiku).
  • Të mbahen takime të rregullta- së paku një herë në muaj të grupit koordinues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit në rajonin e Prizrenit.
  • Të gjitha palët e përfshira në grup të raportojnë së paku një herë në muaj pranë grupit koordinues për punën e tyre dhe hapat që do të ndërmarrin për përmirësimin e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit.
  • Të identifikohen të ashtuquajturat “pika të nxehta”- vendet ku ka shkelje më të shpeshta të ligjit dhe të njëjtat të jenë subjekt i vizitave sistematike dhe i ndëshkimeve të parapara me ligj në rast se gjenden shkelje.
  • Të organizohen vizita inspektuese të përbashkëta të inspektoratit komunal sanitar dhe policisë së Kosovës- rajoni i Gjilanit me prioritet në mjediset ku shkeljet e ligjit janë më të shpeshta.
  • Të organizohen vizita inspektuese sipas mekanizmit “rotativ” ndërmjet inspektorateve sanitare të komunave të ndryshme duke përfshirë edhe inspektoratin sanitar qendror.
  • Të rritet bashkëpunimi mes inspektoratit sanitar dhe lokaleve gastronomike me qëllim të informimit të tyre rreth kushteve të hapësirave shtesë (të hapura) ku mund të lejohet pirja e duhanit dhe eliminimi i atyre të ndërtuara në kundërshtim me ligjin.
  • Të përpilohet një qarkore informative për rregullat e ndalimit të pirjes së duhanit në institucionet arsimore dhe t’u dërgohet drejtorëve të të gjitha shkollave në rajonin e Gjilanit.
  • Të ndërmerren aktivitete vetëdijësuese në mediet lokale dhe kombëtare me qëllim të ngritjes së vetëdijes për respektimin e ligjit për k. e duhanit. Gjithashtu, nëpër shkolla të ndërmerren aktivitete edukative-vetëdijësuese për rreziqet shëndetësore të konsumimit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit.
  • Të publikohet numri i dënimeve të shqiptuara ndaj subjekteve shkelëse të ligjit.

Author:

Share This Post On